Ngjarja e rëndë që tronditi jo vetëm Kosovën, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga pesë persona, ka nxitur protesta masive në Prishtinë.
Një numër i lartë njerëzish kanë vendosur të kërkojnë drejtësi për të miturën, duke dënuar autorët, të cilët tashmë janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim.
Në një lidhje direkte nga protesta, gazetarja e “Top Channel”, Leonita Bajrami tregoi për situatën e protestës që po zhvillohet.
Protestuesit janë vendosur përballë Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa rrugët në atë zonë janë të bllokuara plotësisht.
Qytetarët kanë brohoritur dhe kanë marshuar me pankarta në duar, në të cilat shiheshin mesazhe dhe emrat ose fotot e autorëve të dyshuar.
Prokuroria Themelore e Prishtinës pritet të bëjë kërkesën e përcaktimit të masës së sigurisë nga Gjykata Themelore e të marrë një vendim gjatë ditës së sotme.
“Rrugë të sigurta”, “Parqe të sigurta” dhe “Sheshe të sigurta” janë disa nga brohorimat që u dëgjuan më shumë në protestën e sotme.
Top Channel