“Trazira në shtator”/ Paralajmërimi i kryeministres së Serbisë për çështjen e targave

29/08/2022 14:22

“Nga 1 shtatori, Kosova fillon një periudhë të paqëndrueshme”, ka paralajmëruar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cila paralajmëron trazira për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për targa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fajin për këtë situatë, ajo ia faturon kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti nuk dëshiron paqe dhe nuk është i gatshëm për kompromis”, ka thënë shefja e ekzekutivit serb për Radio Televizionin e Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për dokumentet në 27 gusht. Por nuk ka ende një ujdi për targat.

Vuçiç bëri më herët një pohim të ngjashëm, ndërsa insistoi se pakti për heqjen e të gjitha dokumenteve të hyrjes dhe daljes për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë kur kalojnë kufirin, nuk duhet të interpretohet si njohje.

Gazetari investigativ dhe analisti maqedonas Xhemajl Rexha postoi në Twitter një njoftim në serbisht dhe anglisht, në të cilin pretendonte se shfaqej një fletëpalosje nga Beogradi që i udhëzonte njerëzit të mos e interpretojnë marrëveshjen si formë njohjeje.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës si PZ, KM, PR, UR e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka thënë se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës.

Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por Kurti e ka hedhur poshtë këtë propozim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA