Macron paralajmëron francezët: Po vjen përmbysja e madhe, bollëkut i erdhi fundi!

25/08/2022 14:05

“Po kalojmë kohë mjaft të vështira. Është një përmbysje e madhe kjo që po përjetojmë”, me këtë fjali që çeli takimin e parë të kabinetit të tij pas pushimeve të verës, presidenti francez Emmanuel Macron i paralajmëroi të pranishmit e të gjithë francezët, të përgatiten për sakrifica të forta në periudhën që do të vijë.

Macron: Unë besoj se kjo që po kalojmë është një ndryshim i madh ose një përmbysje e madhe. Po flas për fundin e bollëkut, fundin e një jete të shkujdesur dhe përballë një situate të tillë, na dalin disa detyra. Duhet t`i shohim gjërat me qartësi, pa u përfshirë nga paniku. 

Në komentet e tij, shefi i Elysée-së aludoi për një seri “krizash serioze”, duke nisur nga lufta e Ukrainës e deri tek efektet shqetësuese të ndryshimeve klimatike, të tilla si thatësirat që kanë pllakosur disa pjesë të Europës e më gjerë.

Ai nuk harroi të përmendte dhe pasojat e pandemisë së  COVID-19 në kontekstin e financave publike, mungesës të materialeve të caktuara dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.

“Liria jonë ka një çmim dhe ndonjëherë kur duhet mbrojtur, mund të nënkuptojë sakrificë”, u shpreh ai. Më tej, i bëri thirrje anëtarëve të qeverisë franceze të veprojnë me seriozitet dhe besueshmëri gjatë përballjes me krizën dhe të mos bien pre e demagogjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA