Mediat ruse thonin sot se autore e tentativës së vrasjes ndaj këshilltarit kryesor të Putin është një vrasëse profesioniste nga Ukraina, e cila ka ardhur së fundmi në Rusi bashkë me bijën e saj 12-vjeçare.
Shërbimet sekrete ruse FSB njoftonin se “kanë zbardhur” vrasjen me bombë në makinë të gazetares Darya Dugina, bija e nacionalistit rus Alexander Dugin, që konsiderohej si “guida shpirtërore” e presidentit Putin.
Agjencia pretendon se vrasësja e Duginas, e emeruar si Natalia Vovk, 43 vjeçe, ka hyrë në Rusi më një makinë Mini Cooper, çka mediat perendimore e konsideronin si një skenar të ngjashëm me atë të filmit të spiunazhit të vitit 1969 ‘The Italian Job’.
Darya, gazetare që raportonte për luftën në Ukrainë, humbi jetën kur makina e saj u hodh në erë teksa ajo kthehej në shtëpi në mbrëmje në periferi të Moskës.
Babai i saj konsiderohet një nga strategët e Luftës në Ukrainë dhe besohet se ka shpëtuar pasi kishte ndërruar makinën me të bijën në momentet e fundit.
Rrjeti shtetëror rus NTV publikonte kartën e identitetit të vrasëses duke thëne se ishte anëtare e Gardës Kombëtare të Ukrainës.
FSB shtonte se vrasësja është 43 vjeçare dhe ka hyrë në Rusi në 23 qershor bashkë me të bijën 12-vjeçare.
“Kemi përcaktuar se krimi është kryer nga shërbimet sekrete të Ukrainës”, tha në një deklaratë FSB.
Agjencia ruse e zbulimit thoshte më tej se vrasësja e dyshuar kishte marrë një apartament me qera në të njëjtën zonë ku banonte bija e Dugin.
FSB tha se bomba që vrau Darya u shpërthye në distancë kur makina Mini Cooper e vrasëses profesioniste ishte duke udhëtuar pak prapa objektivit.
Ata shtonin se pas atentatit, gruaja me të bijën ishin larguar drejt Estonisë.
Ukraina ka mohuar përfshirjen në atentat.
60 vjeçari Dugin, foli dje për herë të parë pas vdekjes së të bijës duke u zotuar për hakmarrje.
“Si rezultat i sulmit terrorist të kryer nga regjimi nazist i Ukrainës, bija ime Darya Dugina u vra brutalisht nga një shpërthim para syve të mi,” tha ai.
“Ajo ishte një vajzë e mrekullueshme ortodoske, patriote, gazetare ushtarake, dhe studiuese e shumë fushave.”
“Kemi nevojë për fitore, vajza ime dha jetën në këtë altar”, shtoi ai.
Top Channel