Situatë e rënduar në Manchester, Klopp kërkon tre pikët në tavolinë për sfidën ndaj United!

21/08/2022 09:11

Manchester United ende nuk ka shijuar suksesin e parë për këtë sezon të Premier League me “Djajtë e Kuq” që për më tepër kanë pësuar dy disfata turpëruese ndaj Brighton në shtëpi dhe Brentford në transfertë. Trajneri Erik ten Hag është duke u përballur me një situatë kritike ndërsa nga ana tjetër, tifozët kanë paralajmëruar një protest në vigjilje të ndeshjes së hënës në Old Trafford ndaj rivalëve historikë të Liverpool.

10.000 tifozë do të kundërshtojnë axhendën e presidentit Joe Glazer teksa zemërimi i madh i mbështetesvë të United mund të ndikojë edhe ndeshjen kundër të kuqve. Ndaj, për t’i paraprirë një situate të vështirë, trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp thekson se nëse atmosfera prishet nga tifozët atëherë skuadra e tij duhet të marrë tre pikët në tavolinë.

“Shpresoj që tifozët të mos shndërrohen në një faktor për të prishur ndeshjen, por nëse diçka e tillë ndodh atëherë ne duhet të marrim tre pikët në tavolinë. Tifozët e United mund të mos duan që ndeshja të zhvillohet, mirëpo ne nuk kemi të bëjmë aspak me një situatë të tillë. nuk mund të rrezikojmë që më pas ndeshjen ta riprogramojmë për t’u luajtur në një kalendar të ngjeshur. Ne shpresojmë që të luajmë të hënën dhe më pas të rikthehemi normalisht në shtëpi, nuk e kam idenë se çfarë mund të ndodhë, por nëse ndeshja shkatërrohet atëherë dua tre pikët në tavolinë.

Ne kemi përgatitur ndeshjen dhe jemi gati për të luajtur”, u shpreh Klopp. Kujtojmë se edhe në sezonin e kaluar në ndeshjen mes United dhe Liverpool, tifozët e “Djajve të Kuq” u bënë faktor për të shtyë ndeshjen duke qenë se pushtuan fushën dhe penguan autobuzin e ekipit me sfidën që më pas u zhvendos në një tjetër datë. Ndërkaq, të hënën, nëse ndeshja zhvillohet normalisht, Liverpool gjithashtu do të vihet në kërkim të fitores së parë sezonale pasi deri më tani të besuarit e trajnerit Klopp kanë grumbulluar vetëm dy barazime.

Top Channel