Ancelotti: Modric është i pavdekshëm, duhet ekuilibër mes veteranëve dhe të rinjve

21/08/2022 08:55

Real Madrid regjistroi fitoren e dytë radhazi në dy javët e para të La Liga me Los Blancos që treguan muskujt në një transfertë delikate si ajo ndaj Celta Vigos.

Madrilenët triumfuan me rezultatin e pastër 1-4 ndërsa shifrat mund të ishin edhe më të thella nëse Eden Hazard do të kishte shënuar në fund nga pika e bardhë.

Gjithsesi, trajneri Carlo Ancelotti ka mbetur i kënaqur nga performance e të besuarve të tij ndërsa thekson se i duhet të punojë për të gjetur një ekuilibër mes veteranëve dhe të rinjve teksa italiani beson se këta të fundit e kanë treguar se e meritojnë vendin në formacion. Nga ana tjetër, Ancelotti ka elozhe për Modric duke u shprehur se kroati është i pavdekshëm.

“Duhet të mendojmë për një tranzicion të qetë dhe të butë, veteranët e skuadrës duhet ta kuptojnë ndryshimin pasi të rinjtë e kanë treguar se e meritojnë vendin në formacion. Është e rëndësishme të menaxhojmë dhomat e zhveshjes dhe mirëkuptimi e durimi mes të vjetërve dhe të rinjve është thelbësor. Modric? Ai është i pavdekshëm, është gjithnjë i përgatitur dhe luan shumë mirë. Goli i tij ndryshoi ndeshjen pasi deri në atë moment ishte një sfidë e barabartë dhe shumë e luftuar. Pastaj në pjesën e dytë përmirësuam daljen në sulm dhe tranzicionet ishin fantastike.

Sa i takon Tchouamenit duhet kuptuar se ai është një lojtar i ndryshëm nga Casemiro dhe ndaj Celtës luajti shumë mirë, ashtu siç bën edhe në stërvitje. Ka personalitet dhe luan mirë me topin, i ndihmuar edhe nga skuadra. Në fakt, treshja e mesfushës ishte në një nivel shumë të mirë dhe për këtë ndihmoi edhe Valverde që është i rëndësishëm gjithmonë në mbrojtje”, shpreh Ancelotti.

Top Channel