“Legjendë, kjo gjithmonë shtëpia jote”, Reali përshëndet “luftëtarin” e mesfushës

20/08/2022 09:52

Largimi i Casemiros ndodhi shpejt dhe shtangu disi Realin e Madridit, por oferta e Manchester United nuk mund të refuzohej nga klubi spanjoll, madje as nga vetë mesfushori brazilian.

70 milionë euro (60+10) në arkat e “Los Blancos” nga shitja e 30-vjeçarit, i cili do të përfitojë 18 milionë euro pagë sezonale në “Old Trafford”, duke u bërë lojtari i katërt më i paguar në ishull pas Erling Haaland, Momo Salah dhe Cristiano Ronaldos.

Casemiro ishte pjesë e mesfushës historike të Realit bashkë me Luka Modric dhe Toni Kroos, të cilët kanë dominuar këto vite kompeticionin e Champions League me performancat e tyre fantastike.

Pesë herë e fitoi trofeun me veshe “luftëtari” brazilian në “Santiago Bernabeu”, ndërkohë që fitoi plot 17 trofe gjatë aventurës 8-vjeçare në Spanjë. Klubi ka zgjedhur fjalë të veçanta në njoftimin e shitjes së tij në ishull.

“Real Madrid dhe Manchester United kanë arritur akordin në lidhje me transferimin e Casemiros. Real Madrid dëshiron të shprehë gjithë mirënjohjen dhe dashurinë për Casemiron, një lojtar që tashmë është pjesë e legjendës së këtij klubi.

Reali është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij, i urojmë Casemiros dhe familjes fat në fazë të re të jetës”, lexohet në urimin e super kampionëve të Europës.

Top Channel