Newcastle tenton “ish”-in e Milanit, Southampton gjen në Portugali zëvendësuesin e Brojës

19/08/2022 11:51

Newcastle nuk dorëzohet dhe rikthehet sërish të këmbëngulë për Lucas Paqueta, të cilin e ka kërkuar edhe gjatë merkatos së janarit.

Sipas mediave, braziliani ka dhënë miratimin e tij për t’u larguar nga Lyoni ku bën pjesë që nga viti 2020 kohë kur u transferua nga skuadra e Milanit. Te Magpies, 24-vjeçari do të ribashkohet me mikun e tij Bruno Guimaraes, i cili u transferua në “St James” Park nga Lyoni në janar të vitit 2022. Për ta vendosur Paquetan nën urdhrat e trajnerit Eddie Howe, drejtuesit e Newcastle duhet të derdhin në arkat e francezëve 33 milionë Euro.

Southampton vazhdon të interesohet për sulmuesin e Benfica-s, Goncalo Ramos, me portugezët që kërkojnë 25 milionë paund për ta lënë të lirë futbollistin. Sulmuesi kërkohet me me ngulm nga trajneri Ralph Hasenhuttl, i cili e shikon 21-vjeçarin si përforcuesin ideal për repartin e sulmit. Për të arritur te futbollisti drejtuesit e “The Saints” më parë duhet të mposhtin edhe konkurrencën e klubeve të tjera të Premier League si Newcastle dhe Wolves, që gjithashtu kanë shfaqur interesin e tyre për shërbimet e lojtarit, i cili në këtë fillim kampionati ka realizuar pesë gola me fanellën e Benficas.

Çështja e së ardhmes së Dele Allit vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Drejtuesit e Evertonit nuk e konsiderojnë pjesë të rëndësishme për të ardhmen 26-vjeçarin, i cili ka përfunduar në merkato. Për mesfushorin interesohet klubi turk i Besiktas, që ka kohë që ka nisur tratativat me drejtuesit e anglezëve për ta transferuar në Superligën turke lojtarin. Drejtuesit e klubit turk e kërkojnë fillimisht futbollistin në formë huazimi, ndërsa për ta blerë përfundimisht kartonin e tij nuk ofrojnë më shumë se 10 milionë Euro.

Tottenham parakalon në merkato Nottingham Forest sa i takon Ruslan Malinovskyi, kartoni i të cilit zotërohet nga Atalanta. Mesfushori kërkon të largohet nga Bergamo, pasi dëshiron të luajë në një skuadër më të madhe dhe “Spursat” ja ofrojnë këtë mundësi. I vetmi problem që mund të hasë klubi anglez është se italianët kërkojnë ta shesin menjëherë ukrainasin, ndërsa drejtuesit e “gjelave” e kërkojnë futbollistin në formë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit. Ndërkohë që klubet vazhdojnë bisedimet, Malinovskyi ka dhënë “ok” për kalimin nën urdhrat e Contes.

Top Channel