Djemtë e artë të Shtërmenit/ Edhe tre medalje të arta nga peshëngritësit në evropianin e të rinjve

19/08/2022 20:06

Europiani për të rinj i zhvilluar në Varshavë të Polonisë i solli Shqipërisë një tjetër kampion Europe, me 3 medalje ari 17-vjeçari nga Ertjan Kofsha ngre sërish lartë flamurin Shqiptarë.

Si për ironi dhe koincidencë është sërish fshati Shtërmen ai i cili nxjerr një tjetër kampion, nën gjurmët e Briken Caljes nga e njëjta dhe e vetmja palestër e trajnerit Leonard Toska.

“Kemi marrë shumë medalje, me Brikenin me Geraldin, me Ertjanin dhe Klausin kemi marrë dy medalje në Itali. Këto janë medaljet e radhës, pas një kohe të gjatë që ishim shkëputur por besoj që Shtërmeni nuk do t’i ndahet medaljeve”, tha trajneri i peshëngritjes Leonard Toska.

Po cili është çelësi i suksesit të këtij fshati që prodhon kampiona peshëngritjeje?

“Puna, disiplina, serioziteti në punë, asnjë ditë nuk shkëputemi nga palestra, asnjë ditë, duke ndenjur korrekt dhe duke zbatuar programet, çdo sportist ka programin të varur në mur”, u shpreh trajneri.

Si e ka filluar karrierën ky sportist i ri që për specialistët ka pritshmëri të mëdha?

“Në fillimet e mia ka qenë Briken Calja këtu në palestër, dhe unë qëndroja duke parë dhe duke mësuar prej tij”, tha peshëngritës Ertjan Kofsha.

Për të arritur këto suksese duhet shumë punë dhe Ertjani tregon se sakrifikon edhe shkollën për të mos munguar në palestër.

“Paradite shkoj në shkollë, por ka ditë që edhe marr leje në shkollë dhe në bashkëpunim me shkollën dy ose tre here në javë marr leje për të zhvilluar nga dy seanca në ditë stërvitje”, shtoi më tej Ertjan Kofsha.

Pas Briken Caljes dhe Erkand Qermajt dukej se do të vononin emrat e rinj të sportistëve të suksesshëm në sportin e peshëngritjes, por Kofsha është një prej elementëve të brezit më të ri që premton.

“Si fillim dua të përgëzoj të dy sportistët që morën medalje edhe Enkeledën 14-vjeçare por edhe Ertjanin dhe të dy trajnerët për punën që kanë bërë. Kjo punë dhe ky model duhet t’i shërbejë të gjithë trajnerëve dhe klubeve shtë tjera Strategjia jonë është që me këta sportista të rinj të fillojmë gërshetimin e brezave pa hequr vëmendjen nga Brikeni dhe Erkandi”, tha presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA