Borrell: Sot nuk arritëm marrëveshje, por negociatat do të vazhdojnë

18/08/2022 17:07

Rivalët e kohës së luftës, Serbia dhe Kosova  mbajtën sot bisedime të nivelit të lartë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE me qëllimin për të ulur tensionet mes tyre sidomos pas ngjarjeve në veri të Kosovës në 31 korrik e 1 gusht.

Takimi i cili përherë të parë u zhvillua me dy raunde brenda ditës, deri më tani nuk duket se ka prodhuar rezultate, megjithëse që në nisje pritshmëritë nuk ishin të mëdha.

Këtë e konfirmoi edhe shefi i politikës së jashtme Josepp Borrell

“Jemi po ashtu të fokusuar në rrugën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Patëm mundësi që të bisedonim në hollësi për këtë marrëveshje. Sigurisht se ka dallime të mirënjohura mes tyre sa i përket asaj se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë apo si do të duhej të ishin ato. Por, janë pajtuar se do t’i vazhdojnë bisedimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit”, përfundoi shefi i politikës së jashtme të BE.

Albin Kurti dhe  Aleksandër Vuçiç u ulën përballë njëri tjetri, por nuk u panë në sy, dhe refuzuan të shtrëngonin duart, sinjali i parë i dukshëm ky që bisedimet do ishin më shumë se të vështira.

Pas rundit të parë, të bisedimeve që nisi në 10 e 30 të mëngjesit,  shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiçin, për ti ulur sërish në tavolinë,

Por pas përfundimit të raudnit të 2, Presidenti i Serbisë u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, u tha gazetarëve se Vuçiç do të qëndrojë në Bruksel edhe për pak kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

” ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç pa dhën më shumë detaje, ndëra nga delegacioni i Kosovës nuk ka ende një deklaratë .

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Top Channel