Me makinë të blinduar, kallashnikov me dy karikator të mbushur dhe radio policie, 3 persona dyshohet se do të kryenin një vrasje në Kune këtë të enjte.
Falë ndërhyrjes së policisë plani i tyre dështoi dhe ata ranë në pranga.
Mjeti i blinduar “Toyota” drejtohej nga 34-vjeçarja Flutura Berisha, e cila kur ka parë se policia po i afrohej ka tentuar të largohet me vrap duke fshehur pranë vendit të ngjarjes kallashnikovin.
Në çantën e saj të dorës policia sekuestroi dy radio si ato të policisë që dyshohet se do të përdoreshin nga grupi.
Në pranga po ashtu ra edhe 28-vjeçari Nikoll Sherniku, i cili ka thyer masën e sigurisë arrest shtëpie ku ishte lënë nga gjykata pasi ishte arrestuar si i implikuar në vrasjen e punonjësit të policisë Xhulio Prela dhjetorin e vitit të kaluar.
Për të njëjtën ngjarje u hetua dhe Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinaj, i cili ishte një nga 3 viktimat e vrasjes në mbikalimin e Fushë-Krujës më 17 korrik.
Në makinë me Flutura Berishën e Nikoll Shernikun policia gjeti dhe një të mitur 15 vje, i cili për shkak të moshës nuk u ndalua.
Dyshohet se 28-vjeçari ishte poseduesi i armës dhe 34-vjeçarja dhe i mituri ishin marrë nga ai për kamuflim.
Të pyetur nga policia ata thanë se nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin por njihen si banorë të të njëjtit fshat në Fushë Kuqe të Kurbinit.
Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar.
Top Channel