Hong Kong-u në “mëshirë të fatit”, braktiset nga mijëra persona

15/08/2022 23:00

Janë më shumë se 140 mijë persona që kanë braktisur Hong Kong-un vetëm gjatë këtij viti, ashtu si dhe shumë kompani të huaja.

Nga shumëllojshmëria e mendimeve të një metropoli si Hong Kongu, me më shumë se 7 milionë banorë, mund të veçohet ndoshta vetëm një mendim i përbashkët, ‘ka ardhur koha për të ikur’.

Sipas statistikave zyrtare, viti 2022 ka qenë vit rekord për sa i përket personave që kanë lënë, ndoshta përgjithmonë, qytetin-shtet që deri më 1997 ishte ende një koloni britanike. Bëhet fjalë për gati 140 mijë të tillë.

Një trend që ka filluar nga momenti kur qyteti formalisht autonom iu rikthye Kinës, duke u përkeqësuar ndjeshëm nga viti 2019, pas një seri ligjesh të Pekinit që do të përafrojë ligjet e Hong Kongut me qasjen e Partisë Komuniste.

Periudha e pandemisë dhe masat tejet të rrepta si kundërpërgjigje nuk kanë ndihmuar, ashtu si edhe vendimi i disa kompanive për të transferuar aktivitetin e tyre.

“Nuk kemi personel mjaftueshëm për t’iu përgjigjur të gjithë kërkesave”, thonë drejtuesit e kompanive të transportit, që ndihmojnë dhjetëra mijëra shtetas për të rifilluar një jetë të re larg Hong Kongut, mundësisht në Britaninë e Madhe.

Londra ka miratuar një program, i quajtur ‘British National Overseas’ (BNO), që mundëson të gjithë shtetasit e Hong Kongut të lindur para vitit 1997 me një vizë 5-vjeçare në Britaninë e Madhe, ku mund të punojnë dhe të aplikojnë për nënshtetësi.

Janë 123 mijë ata që kanë aplikuar vetëm në periudhën midis janarit 2021 dhe marsit 2022 dhe 90% e kërkesave janë pranuar nga autoritetet britanike.

Top Albania Radio shkruan se nga momenti që përllogaritet në 5,9 milionë numri i atyre që i kanë kriteret për aplikim, duket qartë se fati i Hong Kongut, të paktën i atij qyteti i njohur si një nga kryeqendrat e ekonomisë globale mund të jetë tashmë i shënuar.

Të rinjtë janë të parët që duan të ikin. “Nga tetë stazhistët që kam marrë nga universitetet, të gjithë më kanë kërkuar referenca për jashtë”, thotë sipërmarrësja Deborah Khan. Në ceremoninë e kësaj jave, gjysmë e censuruar për mediat ndërkombëtare, për të celebruar 25-vjetorin e “rikthimit të madh”, presidenti kinez Xi Jinpin cilësoi të ardhmen e Hong Kongut si “të shndritshëm, nga një tranzicion ku mbizotëronte kaosi tek qeverisja dhe prosperiteti”.

Por sipas analistëve, gjerat janë ndryshe. Hong Kongu do të mbetet një metropol i rëndësishëm, por nuk do të jetë më dera ndërkombëtare e Azisë, por thjesht një rivale e denjë e Shangait në atë rajon, ku shumë kompani të huaja po preferojnë të transferojnë zyrat dhe investimet e tyre drejt një tjetër qyteti shtet, Singapori, që po merr trashëgiminë e Hong Kongut të dikurshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA