U shpall kampion me Kukësin, kthehet nga Kina për t’iu bashkuar Laçit

13/08/2022 18:18

Laçi rikthen në Superiore ish-mbrojtësin e Bylist, Kukësit dhe Flamurtarit, Albi Alla. Futbollisti gjirokastrit do të bashkohet me skuadrën kurbinase, duke plotësuar vendin e lënë bosh nga Renato Malota, i cili u transferua tek Egnatia.

29-vjeçari nga Pogradeci në sezonet e fundit është aktivizuar në kampionatin kinez, por tani do të rikthehet në Abissnet Superiore. Alla ka qenë pjesë e Nanjing City deri në janar, ku u aktivizua për 15 ndeshje, ndërsa më parë ka pasur eksperienca dhe tek Zibo Cuju dhe Shaanxi Chang’an.

Pogradecari në karrierën e tij ka dhe një aktivizim me Kombëtaren e Shqipërisë në një miqësore ndaj Bosnjë Hercegovinës në vitin 2017. Alla synon që të ndihmojë skuadrën e Laçit në arritjen e objektivave, por dhe për të rigjetur formën e tij më të mirë.

Kurbinasit do të synojnë këtë edicion që të ruajnë pozitën e tyre në vendet e para të klasifikimit e minimalisht të sigurojnë pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare./ Super Sport

Top Channel