“Nuk fle me Haaland, nga ta di?”, Guardiola lodhet nga e njëjta pyetje

13/08/2022 11:59

Pep Guardiola është lodhur me pyetjet rreth Erling Haaland dhe presionin mbi sulmuesin norvegjez, të cilin Manchester City e bleu për shumën e 60 milionë eurove nga Borussia Dortmund.

Unë nuk fle me Haaland, nuk jetoj në një shtëpi me të, kështu që nuk e di se si e përballon presionin. Në stërvitje shoh që ai është i qetë. I tillë ishte pas Liverpoolit, njësoj edhe pas West Ham-it.  

Në momentin që nuk shënon gola të gjithë do të thonë që nuk është lojtar i mirë. Duket sikur do të ndodhë fundi i botës, në situata të këqija gjithçka shkon keq. Por duhet të jesh i qetë në momente të tilla dhe skuadrat më të mira ia dalin ta ruajnë pozitivitetin.

Haaland është një sulmues i madh. Nëse shihni statistikat e sulmuesve më të mëdhenj të historisë dhe golat që kanë shënuar në moshën e tij, atëherë Haaland është më i miri. 

Unë do ta inkurajoj atë të jetë një lojtar më i mirë, të bëhet finalizues më i mirë. Erling duhet të mendojë: ‘Sot do të jem më i mirë se dje’. Ai ka aftësinë për të qenë një nga golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave”, deklaroi Guardiola përpara sfidës shtëpiake me Bournemouth.

Në fund edhe një koment për Bernardo Silvën, të cilin e kërkojnë Barcelona dhe PSG. “110% dua që ai të qëndrojë. E dashuroj atë futbollist, nuk e di çfarë do ndodhë, por ne të gjithë e dashurojmë”.

Top Channel