Lumi Rhine i Gjermanisë po thahet, njerëzit dhe bizneset në krizë

13/08/2022 13:41

Ndërsa Evropa po përjeton një verë të gjatë dhe të nxehtë, një nga lumenjtë kryesorë të kontinentit po thahet gjithnjë e më shumë, duke paraqitur probleme të mëdha për njerëzit dhe bizneset që mbështeten në të.

Në lumin Rhine, nivelet e ujit kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit. Disa shërbime tragetesh në dhe rreth qytetit të Kaub janë detyruar të ndalojnë.

“Nuk është shaka,” thotë kapiteni Andre Kimpel, “Ne kemi një thellësin prej 1.5 metra tani dhe varka jonë është 1.20 metra e thellë. Pra, kemi vetëm 30 centimetra ujë të mbetur poshtë nesh.”

Nuk është e pazakontë që niveli i ujit të bjerë këtu, por, thotë kapiteni Kimpel, kjo po ndodh më shpesh. “Dikur kemi pasur shumë përmbytje. Tani kemi shumë ujëra të ulëta.”

Në bregun e lumit aty pranë, ka një stacion të vjetër matës. Çdo kapiten që dëshiron të hyjë në Rinin e Epërm do t’i referohet nivelit zyrtar të ujit të regjistruar këtu.

Niveli aktual nuk ka rënë ende nën shifrën më të ulët të regjistruar ndonjëherë këtu, në tetor 2018.

Rhine është një nga lumenjtë më të mëdhenj të Evropës dhe industria këtu mbështetet tek maunet që marrin dhe transportojnë lëndë të para dhe produkte të gatshme drejt dhe nga termocentralet dhe fabrikat që janë në bregun e lumit.

Por niveli i ujit është tashmë shumë i ulët për të lejuar disa nga anijet më të mëdha të kalojnë. Të tjerët janë detyruar të zvogëlojnë ngarkesën e tyre, në mënyrë që të ngrihen më lart në ujë.

Top Channel