“Kam rreth 5 vite që punoj si shofer kamioni dhe është hera e parë që unë isha në një vend lufte.”

Julian Koseni, nga qyteti i Peqinit, prej 5 vitesh punon si shofer kamioni. Në këto 5 vite 27-vjeçari ka eksportuar mallra të ndryshme në të gjithë Europën.  Në muajin qershor atij iu kërkua të shkonte në vendin e luftës, në Ukrainë.

“Kur më mer administratori i firmës në telefon e më thotë: Je gati të bësh një transport për në Ukrainë. i kamë thënë që do shkoj”, tha Juliani.

Por ky vendim nuk u mirëprit nga familjarët e 30 vjeçarit.

” Prindërve u thashë pasi i dhashë fjalën eprorit. Shumë shumë mirë nuk është se e pritën. Për të më thënë më thanë jo. ”

Kërkesa ishte e thjeshtë, Juliani në Ukrainë duhet të dorëzonte kripën e Vlorës dhe të merte farat e lulediellit të Ukrainës. Juliani thotë se sa më shumë afrohej drejt Ukrainës, aq më tepër shtohej pasiguria.

“Si shërbim deri në Ukrainë më zgjati 15 ditë. Në momentin e hyrjes në kufi kemi pas kontrolle të imtësishme nga ushtria. Qyteti i parë ishte në Cemvisiti, aty do të bëja shkarkimin e mallit. Si fillim nuk mu duk sikur kishte shumë problem, por sa më shumë afroheshe aq më shumë ndjehej frika”, tha ai.

Edhe pse brenda në qytetet nuk dëgjohej zhurma e raketave, apo të shtënat e armëve, prezenca e ushtrisë në rrugë dhe mungesa e fëmijëve të kujtonte se Ukraina ishte në luftë.

“Në rrugë prania e ushtrisë ishte goxha e madhe. Nga ora 8 e darkës këmbësoret e kishin të ndaluar të lëviznin”, tha ai.

Por kjo qetësi përmbysej në mbrëmje.

“Ka qenë ora diku tek 3 natës dhe ra një alarm, në ato momente nuk dije se çfarë të bëje dhe ku të fshihesha. Më vonë mësova se ai alarm lajmëronte se në qytet po afroheshin ushtarët.”

Për kamionistin 30 vjeçar kjo nuk do të jetë rruga e fundit që bën drejt vendeve të luftës.

” Pres që të bëj një rrugë tjetër përsëri në Ukrainë.”

Top Channel