Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi është duke punuar në një projekt të ri me DJ-in e famshëm, David Guetta.

Dyshja po sjellin remiksin e këngës “Blue”, pasi publikuan një copëz të shkurtër të demos në rrjetet sociale, e cila është bërë virale dhe fansat kanë kërkuar menjëherë publikimin e versionit të plotë.

Në anën tjetër, 32-vjeçarja po vazhdon të mbetet aktive në Twitter, duke i mbajtur fansat e saj të azhurnuar rreth të rejave më të fundit të saj. Së fundmi, ajo publikoi një video të shkurtër nga ushtrimet në palestër, ku theksoi linjat e saj trupore dhe rezultatin e arritur nga fitnesi.

Mes të tjerash, ajo mori një koment nga një ndjekës, i cili i shkruante: “Dukesh mjaft e shëndosh por kjo është një gjë e mirë”.

Dhe këngëtarja e hitit “Me, Myself and I” nuk nguroi t’i kundërpërgjigjet fansit, duke i thënë se në fakt i ka humbur disa kilogramë. “Dhe humba peshë!!! Isha edhe më e shëndosh më parë”.

Rikujtojmë, se Bebe Rexha këtë vit ka qenë shumë pak aktive në muzikë, por që gjithsesi i ka njoftuar fansat se shumë shpejt pritet të rikthehet me diçka të re. Artistja e njohur numëron një sërë hitesh dhe duket se tre prej tyre kanë tejkaluar pritshmëritë duke marrë mbi 1 miliard klikime. Bëhet fjalë pët këngët “In the Name of Love”, “Me, Myself&I” dhe “Meant to Be”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA