Në një sfidë në rritje për Rusinë për të kontrolluar zonat e pushtuara të Ukrainës juglindore, forcat guerile pro-Kievit po vrasin zyrtarë pro-Moskës, po hedhin në erë ura dhe trena dhe po ndihmojnë ushtrinë ukrainase duke identifikuar objektivat kryesore.
Shtimi i rezistencës ka gërryer kontrollin e Kremlinit mbi këto zona dhe po pengon planet e tij për të mbajtur referendume në qytete të ndryshme si një hap drejt aneksimit nga Rusia. “Qëllimi ynë është ta bëjmë jetën të padurueshme për pushtuesit rusë dhe të përdorim çdo mjet për të prishur planet e tyre”, thotë Andriy, një koordinator 32-vjeçar i lëvizjes guerile në rajonin jugor të Khersonit.
Anëtar i grupit të rezistencës “Zhovta Strichka” apo “Shiriti i Verdhë”, Andriy foli për agjencinë Associated Press me kusht që të mos identifikohej plotësisht për të shmangur gjurmimin nga rusët. Grupi e ka marrë emrin e tij nga një prej dy ngjyrave të flamurit kombëtar të Ukrainës dhe anëtarët e tij përdorin shirita me këtë ngjyrë për të shënuar objektivat e mundshëm për t’u goditur.
Trupat ukrainase përdorën kohët e fundit një raketë të shumëfishtë, të furnizuar nga SHBA, të njohur si HIMARS për të goditur një urë strategjike në lumin Dnieper në Kherson, duke shkëputur lidhjen kryesore të furnizimit për rusët. Qyteti me 500,000 banorë, i pushtuar nga trupat ruse në fillim të luftës, është mbushur me fletëpalosje nga grupet e rezistencës, që kërcënojnë zyrtarët e mbështetur nga Moska. Pak para sulmit ndaj urës, u shfaqën fletëpalosje ku thuhej: “Nëse HIMARS-i nuk e bën dot, një partizan do të ndihmojë”. “Ne po i japim ushtrisë ukrainase koordinata të sakta për objektiva të ndryshme dhe ndihma e guerrilasve i bën armët e reja me rreze të gjatë, veçanërisht HIMARS, edhe më të fuqishme,” tha Andriy për agjencinë AP. “Ne jemi të padukshëm pas vijave ruse dhe kjo është forca jonë”.
Ndërsa forcat ukrainase shtojnë sulmet në rajon dhe rimarrin disa zona në perëndim të lumit Dnieper, aktiviteti gueril gjithashtu është rritur. Ata koordinohen me Forcat e Operacioneve Speciale të ushtrisë ukrainase, të cilat i ndihmojnë të zhvillojnë strategji dhe taktika. Forcat Speciale gjithashtu zgjedhin objektivat dhe kanë krijuar një faqe interneti me këshilla si të organizosh rezistencë, të përgatisësh prita dhe t’i shmangesh arrestimit. Në zonat e pushtuara u krijua një rrjet deposh me armësh dhe vende strehimi sekrete. Bomba janë vendosur pranë ndërtesave administrative, në shtëpitë e zyrtarëve dhe madje edhe në rrugën e tyre për në punë. Një eksploziv i vendosur në një pemë shpërtheu ndërsa një automjet i shefit të burgut Kherson, Yevgeny Sobolev, kalonte pranë, megjithëse ai i mbijetoi sulmit. Një automjet policie u godit nga një predhë, duke plagosur rëndë dy oficerë, njëri prej të cilëve vdiq më vonë. Nënkryetari i administratës lokale në Nova Kakhovka vdiq nga plagët pasi u qëllua me armë gjatë fundjavës.
Guerilët janë përpjekur vazhdimisht të vrasin Vladimir Saldo-n, kreun e administratës së përkohshme të rajonit Kherson të mbështetur nga Rusia, duke ofruar një shpërblim prej rreth 25,000 dollarësh. Ndihmësi i tij, Pavel Slobodchikov, u qëllua dhe u vra në automjetin e tij, ndërsa një zyrtar tjetër, Dmytry Savluchenko, u vra nga një makinë bombë. Sulmet e kanë detyruar Moskën të dërgojë njësi anti-guerile në Kherson, tha zoti Saldo. “Çdo ditë, njësitë speciale nga Rusia zbulojnë dy ose tre depo me armë për aktivitete terroriste”, tha zoti Saldo në kanalin e tij të medias sociale.
Në fillim të sulmit, mijëra banorë organizuan protesta paqësore. Por ushtria ruse i shpërndau shpejt dhe arrestoi aktivistët, duke radikalizuar rezistencën. Fotografi i dasmave, i kthyer në aktivist, Oleksandr Kharchikov, 41 vjeç, nga Skadovsku, tha se ai u godit dhe torturua pasi u arrestua gjatë një operacioni spastrimi të sigurisë ruse. “Rusët më torturuan për një kohë të gjatë. Më rrahën me shkop bejsbolli, më shtrënguan gishtat me pincë dhe më torturuan me goditje elektrike”, tha zoti Kharchikov në një intervistë telefonike. “Pësova një tronditje dhe një brinjë të thyer, por nuk u dhashë asnjë informacion dhe kjo më shpëtoi.” Zoti Kharchikov kaloi 155 ditë nën pushtimin rus derisa u arratis.
“Rusët ofronin 10,000 rubla (165 dollarë) për këdo që aplikon për nënshtetësinë ruse për të forcuar kontrollin e tyre në rajon”, tha ai.
Moska ka futur rublën, ka krijuar rrjete celulare ruse dhe ka ndërprerë televizionet ukrainase në zonë. Ekrane gjigante që transmetojnë televizione ruse, janë vendosur në sheshet kryesore të qyteteve.
Kryetari i Bashkisë së Melitopolit, Ivan Fedorov, i cili gjithashtu kaloi një kohë të gjatë në robërinë ruse, tha për AP-në se rreth 500 aktivistë ukrainas u arrestuan dhe shumë të tjerë u torturuan. Disa u zhdukën për muaj të tërë pas arrestimit të tyre.
Në maj dhe qershor, guerilët hodhën në erë dy ura hekurudhore në Melitopol dhe nxorrën nga shinat dy trena ushtarakë rusë, tha zoti Fedorov.
“Lëvizja e rezistencës po ndjek tre objektiva: të shkatërrojë armët ruse dhe mjetet e furnizimit të tyre, të diskreditojë dhe frikësojë pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe t’u japë informacion shërbimeve speciale ukrainase për pozicionet e armikut”, shtoi ai.
Rusia u përgjigj duke forcuar patrullat dhe duke kryer spastrime të rregullta për ata që dyshoheshin për lidhje me guerilasit. Gjatë bastisjeve të tilla, ata kontrollojnë telefonat dhe arrestojnë ata me simbole ukrainase, ose foto të të afërmve me uniforma ushtarake.
Nga popullsia e paraluftës e Melitopolit prej 150,000 banorësh, më shumë se 60,000 njerëz janë larguar.
Zyrtarët pro-Moskës po përgatiten për një referendum të mundshëm në Melitopol dhe zonat e tjera të pushtuara që kërkojnë të bashkohen me Rusinë, duke kryer bastisje dhe duke dhënë pasaporta ruse, tha zoti Fedorov.
“Ne do të pengojmë referendumin rus. Ne nuk do të lejojmë votimin nën tytat e armëve ruse,” tha ai, duke shtuar se jo më shumë se 10% e popullsisë simpatizon Moskën dhe gjysma është larguar.
Rezistenca varion nga aktivistët radikalë te mësuesit dhe pensionistët, që këndojnë këngë ukrainase në parqe dhe mbajnë fshehurazi shirita të verdhë dhe blu.
“Rusët prisnin që të përballeshin me lule, por u përballën me faktin se shumica e njerëzve e konsiderojnë veten ukrainas dhe janë të gatshëm të ofrojnë rezistencë në forma të ndryshme – nga mbledhja e informacionit deri te djegia dhe hedhja në erë e pushtuesve”, tha Oleksii Aleksandro, pronar i një restoranti në portin jugor të Mariupolit.
Në një gjest sfidues të fundit në Mariupol, një i ri i mbështjellë me një flamur ukrainas qëndroi në një rrugë pranë teatrit të shkatërruar nga bombat ruse. Fotoja e tij u përhap në mediat ukrainase dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy e përshëndeti atë në një fjalim drejtuar kombit.
“Ishte një gjë shumë e guximshme dhe doja ta falënderoja për veprimin e tij” tha zoti Zelenskyy. “Ky njeri është një nga shumë njerëz që presin rikthimin e Ukrainës dhe nuk do ta pranojnë pushtimin në asnjë rrethanë.”
Megjithëse ndjenjat pro-Moskës janë të forta në zonën industriale, kryesisht rusisht-folëse të Donbasit, në Ukrainë, atje është shfaqur edhe një lëvizje guerile.
Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai tha se gjashtë trupa ruse u plagosën muajin e kaluar kur automjeti i tyre u hodh në erë nga guerilasit në qytetin e Sievierodonetskut menjëherë pas konfiskimit të tij. Ata gjithashtu kanë vënë në shënjestër hekurudhat, duke ndërprerë dërgesat ruse të municioneve dhe furnizimet e tjera.
“Guerilët kanë vepruar me mjaft sukses”, tha zoti Haidai për agjencinë AP. “Ata nuk kanë shpërndarë vetëm fletëpalosje. Ata kanë shkatërruar edhe objekte infrastrukturore dhe po ndihmojnë shumë për të ngadalësuar sulmet dhe përparimet ruse”.
Vëzhguesit thonë se lëvizja guerile ndryshon sipas rajonit dhe se është në interes të të dyja palëve që ta ekzagjerojnë shtrirjen e saj.
“Rusët e bëjnë këtë për të justifikuar operacionet e tyre në territoret e pushtuara, ndërsa ukrainasit kërkojnë të demoralizojnë forcat ruse dhe të lartësojnë fitoret e tyre”, thotë Vadim Karasev, kreu i Institutit të Strategjive Globale me bazë në Kiev. “Është e vështirë të besosh përrallat për ukrainasit që ushqejnë ushtarët rusë me ëmbëlsira të helmuara, por ndonjëherë mitet funksionojnë më mirë se faktet”./VOA
Top Channel