“Nuk e vrau varka, por shteti”/ Protestës i bashkohen Meta dhe Berisha: Protestën e politizoi Rama, Çuçi të marrë përgjegjësitë

04/08/2022 19:59

Kryedemokrati Sali Berisha, ka qenë i pranishëm në protestën e ditës së sotme pas tragjedisë ku humbi jetën 7-vjeçarja, Jonada Avdia, e cila u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Berisha u shpreh se epiqendër e këtij problemi është politika dhe sipas tij ministri Çuçi duhet të dorëhiqet nga detyra për përgjegjësi morale.

Teksa gazetarët i krahsuan situatën me 21 janarin, Berisha tha se është komplet gjë tjetër pasi në atë kohë ishte një axhendë për të marrë pushtetin.

Berisha: Kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për gazetarët në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ është shprehur se do të mbështesë çdo protestë. Qytetarët kërkojnë me shumë të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe Turizmit, mirëpo kreu i tyre që mbron veten e tij, deklaron se është i vendosur të mos reflektojë dhe të mos tregojë as minimumin e ndjenjave për këtë zhvillim dramatik’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Ju i bashkoheni protestës?
Kjo është një protestë e organizuar nga qytetarët, për një kauzë shumë të ndjeshme, e cila ka tronditur mbarë Shqipërinë, por jo qeveritarët, ndonëse vogëlushja u vra nga një skafist i qeverisë.

Qytetarët kërkojnë me shumë të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe Turizmit, mirëpo kreu i tyre që mbron veten e tij, deklaron se është i vendosur të mos reflektojë dhe të mos tregojë as minimumin e ndjenjave për këtë zhvillim dramatik.

Atëherë ai vendosi të përdorë epitete, një njeri me probleme të rënda mendore, por morale më shumë, jo vampir apo tjera. Ndërkohë mediat dhe politikanët po shprehnin me të drejtë, ndjeshmërinë e madhe dhe revoltën, sepse kjo vogëlushe u blua nga skafi vetëm 2 metra larg bregut, ku një skaf nuk mund të shkonte, por veç i qeverisë.

Po të isha në vendin e Ramës, nëse Çuçi nuk do të kishte ikur për 3 minuta, në të 4 do e kisha shkarkuar, atë dhe ministren e Turizmit. Këta përpiqen që me zinxhirin e policisë së Vlorës, të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në këtë vend.

Nuk them që policia nuk ka përgjegjësi. Unë nuk e njoh drejtorin e Vlorës. Ai e ka shkarkuar këtë polic muaj më parë, por e kanë kthyer.

Të dhënat paraprake janë që e kanë kthyer ministra në punë atë.

Qytetarët në protestë, ju jeni në protestë, deputetët në protestë, a mendoni se do të reflektojë qeveria?

E vështirë që të reflektojë qeveria, por i ftoj qytetarët që të vazhdojnë protestën dhe ti imponojnë qeverisë të reflektojë.

A mjafton dorëheqja e Çuçit?

Një hap në drejtimin e duhur është ajo. Sepse është ministri përgjegjës për të. Keni dhe rastet e tjera. Ai sillet, si të thuash. A nuk ndodhi në maj, Ilvi Meta që u var në qeli, e morën në komisariat se vodhi një derë. Ky që merr 400 milionë euro, nuk i ndodh asgjë. Çuçi duhet të jepte dorëheqjen. Rasti i të riut në Durrës, që nuk kishte asnjë roje bregdetare. Politika është dhe do të jetë gjithmonë në qendër të problemit.

Protestës i është bashkuar gjithashtu edhe ish-Presidenti Ilir Meta me të birin. Meta us hpreh që zgjidhja është protesta, dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të Bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre

Meta: Vetëm pak kohë më parë dy qytetarë u plagosën në Jalë, në rrethana të ngjashme dhe shumë aksidente të tjera. Asnjë masë nuk është marrë për të zbatuar ligjin, jo vetëm kaq por edhe cinizmi që thotë mos na e prisni imazhin e vendit me turizmin më të mirë në rajon. Zgjidhja është protesta, dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të Bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre”, tha Meta.

Ai kërkoi që “qytetarët të shumëfishojnë vrullin dhe intensitetin e protestës”.

“Të vrasin frikën dhe të triumfojë liria. Familjet shqiptare janë në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, nga problemet sociale, sa shumë të rinj të prekur nga fenomeni i drogës. Të rrisim përgjegjësinë dhe të mblidhemi të gjithë, që kjo situatë papërgjegjshmërie të marrë fund dhe të mbrojmë fëmijët e shqiptareve dhe atdheun nga një klikë e papërgjegjshme”, tha ish-Presidenti Meta.

Top Channel