Operacioni policor shqiptar demaskon agjentët e MOIS të maskuar si burime për mediat perëndimore

03/08/2022 13:55

Më 16 korrik 2022, media shqiptare raportoi se Struktura e Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, ka ndaluar dhe ka marrë në pyetje 20 iranianë për spiunazh në shërbim të regjimit iranian.

Policia shqiptare bastisi tetë banesa, katër zyra dhe disa godina ku ata qëndronin dhe kryenin aktivitete të ndaluara. Gjithashtu u kontrolluan ambientet e Shoqatës ASILA.

Sipas Policisë së Shqipërisë, këta persona ishin nën hetim prej katër vitesh. Sipas EuroNews Albania, ata dyshohen se kanë kryer aktivitete spiunazhi në territorin shqiptar në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një entitet i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si Organizatë e Huaj Terroriste (FTO), dhe në emër të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS).

Më 12 korrik, Gjykata e Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi urdhra kontrolli për objektet dhe pronat e lidhura me Hassan Heyrani, Mehdi Soleimani, Gholamreza Shekari, Mostafa Beheshti, Abdolrahman Mohammadian, Hassan Shahbaz, Sarfaraz Rahimi, Mahmoud Dehghan Gourabi, Mohammad Reza Seddigh, Reza Islami dhe Ali Hajari. Krahas kontrollit në banesat dhe zyrat e tyre, u sekuestruan të gjitha pajisjet elektronike përfshirë telefona celularë, kompjuterë, magnetofona dhe dokumente.

Sipas urdhrit të gjykatës, siç raportojnë mediat shqiptare, këto aktivitete janë kryer për të parandaluar “çdo sulm të mundshëm terrorist”. Urdhri përcaktonte më tej se këta persona akuzohen për “marrje të parave nga shërbimet sekrete të Iranit, Forca Qods dhe IRGC për të siguruar informacion në lidhje me MEK në Shqipëri”.

Balkan Web shkroi më 16 korrik se Struktura e Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte katër vjet që po kryente hetime për një celulë që synonte të sulmonte Muxhahedinët e Popullit në Shqipëri. SPAK ka bastisur një celulë terroriste në vitin 2019. News 24 ka zbardhur dosjen e plotë hetimore, e cila tregonte se celula terroriste kishte planifikuar të vinte në shënjestër Mehdi Abrishamchi-un, një zyrtar i lartë i MEK në Shqipëri. Anëtarët e kësaj celule vëzhgonin edhe anëtarë të tjerë të Muxhahedinëve të Popullit në Shqipëri. Arrestimet dhe hetimet e celulës terroriste dhe të spiunazhit kishin lidhje me arrestimin e një mercenari tjetër të regjimit të quajtur Bijan Pooladrag dy vite më parë.

“Personat në fjalë dyshohen si anëtarë të një grupi spiun, ku ka qenë arrestuar më parë Bijan Pooladrag, ish-anëtar i MEK… Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e një celule terroriste që synonte të sulmonte zyrtarë të lartë të opozitës iraniane, që jetojnë në Ashraf 3. Ai merrte urdhra dhe udhëzime përmes aplikacionit Telegram. Dhe sipas hetimeve po planifikohej vrasja e njërit prej anëtarëve të lartë të Mojahedin Khalq. Një nga oficerët e inteligjencës iraniane e kishte urdhëruar të pandehurin të blinte një automatik kallashnikov në tregun e zi dhe të gjente njerëz të trajnuar që mund të kryenin vrasje,” shtoi News24.

Teherani rekruton agjentë që operojnë nën petkun e ish-anëtarëve të MEK

Më 17 shkurt 2021, një tjetër shtetas iranian, Hadi Sani Khani, i cili ishte larguar nga radhët e MEK në 2016, i shkroi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke zbuluar se për katër vjet ai kishte bashkëpunuar me të njëjtët individë, veçanërisht Hassan Heyrani, i cili kishte vepruar si drejtues dhe ndërlidhës mes këtyre individëve dhe ambasadës iraniane në Tiranë. “Gjatë kësaj periudhe fillova të bashkëpunoj me agjentë zyrtarë të MOIS në Ambasadën në Shqipëri… dhe agjentët e MOIS, përfshirë Ebrahim dhe Massoud Khodabandeh, Gholamreza Shekari dhe Ehsan Bidi, dhe më vonë Hassan Heyrani. Ata më përdorën në demonizimin, spiunazhin, mbledhjen e inteligjencës dhe skemat e zbulimit për të kryer veprime terroriste kundër MEK,” shkruan Sani Khani.

Megjithëse mediat shqiptare po raportojnë tani për spiunazhin dhe aktivitetet e organizuara terroriste të planifikuara nga ky rreth ish-anëtarësh të MEK të punësuar nga shërbimet sekrete iraniane brenda Shqipërisë, shtrirja e këtij rrethi në mediat perëndimore të lajmeve është një aspekt tjetër më i ndërlikuar që kërkon shqyrtim dhe hetim.

Roli kyç i agjentëve të hetuar në keqinformimin anti-MEK në mediat perëndimore

Rrethi anti-MEK i drejtuar nga Teherani dhe që banonte në Shqipëri arriti të mashtronte ose manipulonte një duzinë gazetarësh nga media të tilla si The Guardian, Foreign Policy, The Independent, Der Spiegel, MSNBC, madje edhe BBC dhe New York Times, si dhe të tjera, për të publikuar akuza denigruese dhe të çuditshme kundër MEK-ut, e cila është lëvizja kryesore opozitare që kërkon të përmbysë regjimin në Teheran, dhe të cilën regjimi iranian kërkon ta diskreditojë dhe demonizojë ndërkombëtarisht për të zbehur vëmendjen që MEK ka tërhequr drejt shkeljeve të tij ndaj të drejtave të njeriut, programeve të tij sekrete të armëve bërthamore, aktiviteteve sponsorizuese të terrorizmit dhe ndërhyrjes në rajonin e Lindjes së Mesme për të nxitur luftë dhe konflikt.

Këta operativë u thanë “gazetarëve miqësorë” të etur dhe të gatshëm, gënjeshtra dhe histori të rreme rreth MEK dhe udhëheqjes e synimit të saj, për të mbjellë mosbesim dhe konfuzion në mendjet e publikut perëndimor dhe për t’ua bërë të vështirë politikëbërësve dhe figurave publike perëndimorë mbështetjen e lëvizjes kundër regjimit iranian.

Për shembull, New York Times, Guardian, Der Spiegel, BBC-4, dhe disa media të tjera kryesore shkruan histori të ashpra e sensacionale kundër MEK, të cilat filluan të shfaqen pas shtatorit 2018, bazuar në rrëfimet e këtyre operativëve të shërbimeve sekrete iraniane dhe në veçanti, Hassan Heyrani. Heyrani ishte përjashtuar nga organizata vetëm disa muaj përpara këtij sulmi mediatik nga MOIS nëpërmjet operativëve të saj dhe gazetarëve e producentëve miqësorë në mediat perëndimore.

Më 17 shkurt 2020, Patrick Kingsley i New York Times, pavarësisht se vizitoi Ashrafin për nëntë orë dhe foli privatisht me disa banorë, botoi një artikull shumë denigrues me titull, “Rebelë Iranianë Tejet të Fshehtë Janë Strehuar në Shqipëri”. Kingsley e bazoi raportimin e tij në intervistat me rrjetin e “dezertorëve të MEK-ut, duke përfshirë Heyrani dhe Mohammadian”, të cilët tani janë nën hetim për spiunazh në emër të regjimit, për të bërë shpifje ndaj anëtarëve të MEK duke thënë se “Brenda grupit… kontakti me familjarët është shumë i kufizuar dhe miqësitë nuk inkurajohen”, dhe “anëtarët duhet t’u rrëfejnë komandantëve të tyre çdo mendim të pabesë që kanë”.

Duke theksuar një sjellje të supozuar që publiku e lidh me kulte antisociale, rrethi i dezertorëve i shërbimit sekret iranian po ushqente Kingsley-n dhe gazetarët e tjerë të gatshëm me materiale për thashetheme skandaloze që do të dëmtonin reputacionin dhe integritetin e një lëvizjeje politike progresive të krijuar prej kohësh kundër regjimit. Një imazh që ishte krejtësisht e kundërta e përshtypjes që kishin krijuar përmes përvojës së drejtpërdrejtë shumë figura publike që kanë patur kontakte me anëtarët dhe udhëheqjen e lëvizjes.

Një artikull i BBC-së i datës 11 nëntor 2019, gjithashtu i jep zë propagandës së regjimit iranian, duke e quajtur MEK-un një kult. Ai shkruan: “Manifesti i lëvizjes përfshin një angazhim ndaj të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe demokracisë pjesëmarrëse për Iranin. Por Hassan Heyrani nuk e beson më këtë. Vitin e kaluar ai u largua nga MEK, duke refuzuar atë që ai e shihte si kontroll shtypës i jetës së tij private nga udhëheqja.”

Në një artikull tjetër më 15 korrik 2019, nga një gazetar iranian, The Guardian citoi Heyranin: “ai (Heyrani) punonte në një ‘fermë troll-ësh’ me 1000 persona brenda kampit shqiptar, duke postuar propagandë pro-Rajavi dhe anti-Iran në anglisht, farsi dhe arabisht në Facebook, Twitter, Telegram dhe në seksionet e komenteve në gazeta.” Artikulli vazhdonte me pretendimet se kishte “dhunë të jashtëzakonshme psikologjike dhe kërcënime për vrasje” brenda kompleksit, dhe madje citonte “ish anëtarë” që akuzonin MEK-un për “vdekjen e një prej anëtarëve të tyre”, të gjitha akuza të pabazuara të krijuara nga raportimet e këtij rrjeti operativësh të shërbimit sekret iranian.

Në një artikull më 9 qershor 2019, The Intercept, duke e përshkruar në mënyrë të rreme Heyranin si një “dezertues të rangut të lartë”, e citoi duke thënë se për shkak të “parimeve operative të MEK të ngjashme me parimet e një kulti, udhëheqësi i organizatës nuk lejon asnjë person të përdorë emrin e tij të vërtetë sepse udhëheqësi është njeriu i parë në organizatë dhe gjithçka duhet të jetë nën hijen e tij.”

Në një artikull më 27 prill 2019, Sohail Jannessari dhe Darren Loucaides shkruan: “(Heyrani) i cili dezertoi në vitin 2018 i tregoi Foreign Policy për ritualet dhe rutinat e grupit të krijuara për të nënshtruar plotësisht individin, ndërsa detyronin adhurimin pothuajse fetar të liderit të MEK. Gratë i detyronin t’i përmbaheshin një kodi të rreptë të veshjes. Anëtarët ishin të detyruar të regjistronin detajet e aktiviteteve dhe mendimeve të tyre të përditshme në fletore personale dhe më pas t’i ndanin ato në mbledhjet e grupit, me rrezikun e turpërimit dhe ndëshkimit publik.”

The Independent shkroi më 7 janar 2019, “Heyrani, 38-vjeçari ish-anëtar i seksionit politik të MEK, thotë se dyshon që pasuritë e papritura të grupit vijnë nga arkat e Arabisë Saudite”.

Dhe lista e akuzave që burojnë nga rrethi i operativëve të regjimit iranian, tani nën hetim zyrtar në Shqipëri për komplot terrorist në shërbim të regjimit iranian, vazhdon.

Realiteti po fillon të dalë në shesh

Pas vizitës në Ashraf-3, më 22 gusht 2021, një korrespondent i Sunday Times u takua me Hassan Heyranin në një kafene që ai tani e operon si pikë grumbullimi për rrjetin e tij në Tiranë. The Times citoi Heyranin duke thënë se “kampi është një burg”, mes akuzave të tjera. Megjithatë, Heyarni pranoi për Times se kafeneja dhe shoqata e tij ishin financuar nga një “OJQ” në Iran që kishte lidhje të dukshme me MOIS dhe ishte një organizatë frontale për aktivitetet e regjimit iranian kundër MEK. Kjo kafene është edhe adresa e Shoqatës ASILA, pikërisht ajo shoqatë që ishte subjekt i një urdhër kontrolli nga Policia shqiptare.

Rezistenca iraniane i kishte denoncuar më parë këta agjentë dhe pohoi se ata nuk ishin të përfshirë vetëm në komplote terroriste, por në një fushatë propagandistike të financuar mirë për ta demonizuar MEK-un, që është sinjalizuesi kryesor mbi programin e armëve bërthamore të regjimit, shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran dhe aktivitetet malinje jashtë vendit dhe motori kryesor për përmbysjen e regjimit në Iran. Tani, me zbulimet e fundit zyrtare në Shqipëri për hetimet policore ndaj këtyre agjentëve, duhet të jetë plotësisht e qartë se ata ushqejnë mediat kryesore të përmendura më lart dhe të tjera, me gënjeshtra dhe propagandë për të denigruar opozitën kryesore të Teheranit në shërbim të regjimit iranian. Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë redaktorët e respektuar të mediave dhe lajmeve me se si regjimi iranian po përdor paragjykimet kundër MEK-ut të zhvilluara në një hark kohor prej më shumë se dy dekadash për të fituar terren për fushatën e keqinformimit kundër kundërshtarëve të tij.

Është koha që mediat kryesore të njohin mashtrimin mediatik të drejtuar nga regjimi iranian me fonde të fshehta, gazetarë dhe producentë miqësorë dhe një rreth “dezertorësh” të gatshëm që shërbejnë si “burime” për të çuar përpara qëllimet e tij të fuqisë së butë në Perëndim./ Këshilli Kombëtar i Rezisdencës së Iranit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA