Në ditët e tij të fundit si kreu i shtetit, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku ka takuar edhe homologen e tij, Vjosa Osmanin. Pas mbajtjes së konferencës së pëbashkët. presidenti Meta ka mbajtur edhe fjalim në kuvendin e Kosovës.
Teksa foli gjatë për marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve, Meta tha se krenohet për arritjet e deritanishme në Kosovë, si ndërtimi i institucioneve demokratike, njohja ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, deri tek konfirmimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare
“Kur vizitova Kosovën në dhjetor 2000, asokohe si Kryeministër, pata theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë nevojë për partneritet, dhe jo për paternalizëm. Që nga ajo kohë, kanë ndodhur zhvillime shumë madhore. Që nga pavarësia e Kosovës, ndërtimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme, njohja ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, deri tek konfirmimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, e plot arritje të tjera. Sot, do të ishte edhe më absurde të pretendohej për paternalizëm në marrëdhëniet tona, kur shteti i ri i Kosovës është shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë. Vazhdoj të besoj se marrëdhëniet tona vllazërore kanë nevojë për më shumë qëndrueshmëri dhe gjithpërfshirje, dhe jo për protagonizëm apo përvetësim. Unë sot paraqitem përpara jush, si një njeri që i ka qendruar gjithmonë besnik kësaj filozofie partneriteti dhe bashkëpunimi, me vepra dhe jo me fjalë, duke e mbajtur gjithmonë derën e hapur ndaj çdo shtetari dhe përfaqësuesi të Kosovës, pa dallim, me dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona të jenë vllazërore dhe strategjike në mënyrën më kuptimplote. Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën: tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, traditat, zakonet, interesat, perspektiva Europiane dhe Euro-Atlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri – Kosovë i ka rrënjët tek gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm nga Gjergj Kastrioti tek Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova. Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron gjithmonë tek njerëzit, këndej e andej kufirit. Ata e kanë mbrojtur përbashkësinë e së shkuarës, ata e mbajnë gjallë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj ky vullnet i patjetërsueshëm kërkon një devotshmëri edhe më të madhe politike për të bashkëpunuar më suksesshëm në të gjitha nivelet dhe të gjitha rafshet. Kemi plotësisht të drejtë të krenohemi me arritjet e deritanishme, por duhet gjithashtu të reflektojmë mbi potencialin e pashfrytëzuar mjaftueshëm për realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Me të drejtë krenohemi që kemi vendosur një bazament ligjor shumë të gjerë dhe shumë të mirë, por suksesin e bashkëpunimit duhet ta masim me rezultate sa më konkrete. Me të drejtë krenohemi për ndërlidhjen e infrastrukturës rrugore përmes Rrugës së Kombit, për rritjen e shkëmbimeve të njerëzve, mallrave, kapitalit, për ndërlidhjen energjetike, por të përshpejtojmë hapat për zgjerimin e kësaj ndërlidhjeje edhe përmes infrastrukturës hekurudhore dhe portuale”– tha Meta.
Presidenti nuk la pa përmendur edhe luftën çlirimtare të UÇK.
“Historia na jep ç’do të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur, siç e meriton. Të mbështesim fuqimisht dhe njëzëri kauzën e drejtë dhe përpjekjet heroike që u bënë prej luftëtarëve të lirisë për t’u mbrojtur dhe çliruar prej genocidit. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do të triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima, dhe viktimat në agresorë“, shtoi Meta.
Top Channel