Noizy zbulon detaje nga koncerti Alpha Show: Rreth pesë orë muzikë, do jap 101 për qind nga vetja në skenë!

20/07/2022 10:03

Me këngëtarët më të njohur të momentit, Noizy premton t’u dhurojë fansave një koncert që do ta shijojnë dhe do ta mbajnë mend gjatë.

I ftuar në “Wake Up” këtë mëngjes, artisti zbuloi disa detaje nga koncerti që do të mbahet më 14 gusht në sheshin “Nënë Tereza”.

“Koncerti quhet Alpha se është emri i albumit që publikohet disa ditë para koncertit. E kemi caktuar në 14 gusht, se kemi shumë emigrantë në Itali dhe Greqi që vijnë nga mesi i gushtit.

Kam në plan ta bëj çdo vit, si koncert që mbahet çdo vit, t’i japim mundësi shqiptarëve të dëgjojmë vetëm hip hop”.

Në skenë do të ngjiten artistët më të sukseshmëm, me disa prej të cilëve vetë Noizy ka bërë bashkëpunime.

Fansat do të dëgjojnë ‘live’ Loredanën, Ylli Limanin, Ledri Vulën, Xhensila Myrtezajn, Kidën, Dhurata Dorën, Ardian Bujupin, Elgit Dodën e shumë të tjerë.

Noizy thotë se të gjithë këngëtarët kanë pranuar ftesën.

“Jam befasuar nga të gjithë artistët që janë përgjigjur menjëherë. Është privilegj të performosh në një skenë aq të madhe, sidomos kur e organizon vetë. Nuk do lë asgjë mangët, do të jap 101 për qind nga vetja”.

Alpha Show do të nisë në orën 20:00 për të përfunduar pas mesnate.

“Do të ketë rreth katër-pesë orë muzikë, nga ora 20:00 deri në 01:00. Shqipëria do të shohë sigurinë më të lartë që ka pasur ndonjëherë në koncerte këtu. Do të jetë spektakël, njerëzit nuk kanë pse të shqetësohen për sigurinë”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel