Shkëndija kualifikohet për në raundin e dytë kualifikues të Conference League, duke barazuar përballjen e kthimit skuadrën e Ararat Yerevan, ndërkohë që kishte fituar 2-0 në Shkup duelin e parë. Në transfertën armene, kuqezinjtë ishin sërish dominues, por nuk arritën të shkonin më shumë se një barazim 2-2, edhe pse 45 minutëshin e parë e mbyllën në avantazhin e dy golave.
Tetovarët arritën që të zhbllokonin rezultatin që në minutën e dytë, teksa insistimi i Shalës e detyroi Juan Bravon që ta dërgonte në rrjetën e skuadrës së tij. Katër minuta pas golit vendasit shënuan, por anësori e anuloi golin për një pozicion të parregullt. Doriev dhe Guri ishin rrezik konstant për mbrojtjen e armenëve, ndërkohë që kapiteni Hasani ishte ai që organizonte çdo aksion, dalje apo kundërsulm.
Për golin e dytë Shkëndijës iu desh që të priste deri në shtesën e pjesës së parë. “Buba” harkoi saktë nga këndi, duke gjetur Gurin e harruar në shtyllën e dytë, i cili me kokë ndëshkoi vendasit. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë nga Tetova e ulën presionin, duke u lënë terren rivalëve që u karikuan dhe shënuan dy gola.
Katër minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Gor Malakyan shfrytëzoi një top të larguar jo mirë nga tetovarët, që solli dhe golin e parë për Ararat. Në të 79-ën ishte sërish Malakyan, ai i cili shfrytëzoi daljen jo të mirë të portierit Zahav dhe realizoi një gol të bukur, duke vendosur ekuilibrin.
Në minuta e mbetura rezultati nuk ndryshoi, me Shkëndijën që i gëzohet kualifikimit. Në raundin tjetër të Conference League, skuadra shqiptare do të përballet me letonezët e Valmieras.
Top Channel