Këtë verë, qyteti i Shijakut dhe fshatrat përreth po përballen mungesën e theksuar të ujit në rrjet.

Jo vetëm temperaturat e larta, por edhe punimet që po kryhen për ndërtimin e një linje të re ujësjellësi kanë ndikuar në furnizimin e popullatës me ujë.

”Aktualisht që flasim kemi një problem me furnizimin e qytetit të Shijakut dhe fshatrave. Një nga arsyet është thatësira dhe temperaturat e larta, por ndikon dhe investimi që po bëhet në tubin furnizues të qytetit të Shijakut…”, shprehet Ivo Doçi, përgjegjës i UKD për Shijakun.

Uji po shpërndahet edhe me autobote nga Ujësjellësi i Durrësit, po kjo nuk i mbulon nevojat e banorëve, shumë prej të cilëve detyrohen të blejnë, përveç bidonëve me ujë për të pirë, dhe bote me ujë për përdorime të tjera në familje.

”Më ibret s’ka. Një herë në javë, a një herë në tre ditë. T’u ble ujë. Deri tani kam marrë 80 mijë lekë ujë.”

”Një ditë ka, 3 ditë s’ka… E blejmë te makinat me ujë. Vijnë makinat. Ku del llogaria. Pa punë, pa gjë. Me ditë pune kalamajtë.”

”Ja e blejmë, po dhe na kanë pru ujë me bote të mëdha. Na janë përgjigj për ujë.”

”E di qeveria për ne. S’kena çfarë të themi.”, shprehet banorët.

Për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm me fonde nga buxheti i shtetit, bashkia e Shijakut po realizon 2 investime të rëndësishme me një vlerë prej 4,8 milion euro që pritet të përfundojnë brenda muajit korrik, duke i dhënë fund krizës së ujit.

“Do të jetë një sasi e shtuar uji dhe nuk do të ketë fare probleme në furnizimin me ujë në qytet dhe fshat. Ky tub është dhe furnizues i depos së Shilores dhe shpërndarës, prandaj lindi nevoja të bëhet një investim i ri vetëm furnizues. Kjo shmang dhe ndërhyrjet në rrjet dhe abuzimet, të gjitha problematikat që ka një tub që është dhe i amortizuar pasi ka shumë vite”, thotë Ivo Doçi.

Përveç linjës së re, po investohet edhe në ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit në qytet. Pavarësisht investimeve, në kushtet thatësirës së gjatë që po ndikon në uljen e nivelit të burimeve ujore, UKD u bën thirrje qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin.

Top Channel