Kosova vendos reciprocitet, Lajçak: Nuk duhet të lejojmë të ndodhë një krizë

30/06/2022 15:37

Prej një gushtit të gjithë qytetarët që janë të pajisur me mjete identifikuese të lëshuara nga Serbia do të duhet që në kufi me Kosovën të heqin dorë përkohësisht nga ato dokumente.

Këtë masë të reciprociteti ka vendosur ta zbatojë Qeveria e Kosovës, duke ua mundësuar qytetarëve pajisjen me një fletë – deklarim që ua mundëson atyre qarkullimin brenda territorit të saj.

Ekzekutivi iu ka dhënë ultimatum edhe për targat qytetarëve të Veriut të vendit. Ata prej një gushtit deri më 30 shtator, duhet t’i zëvendësojnë targat ilegale me ato RKS, në të kundërtën do të detyrohet të veprojë Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky institucion do të dalë me një udhëzim administrativ përmes të cilit do të specifikojë edhe kohëzgjatjen e reciprocitetit për letërnjoftime dhe detajet për masat ndaj qytetarëve që refuzojnë të ndërrojnë tabelat e regjistrimit.

Vendimi për reciprocitet bazohet në marrëveshjen e korrikut të vitit 2011, por që Kosova nuk e kishte implementuar asnjëherë, e tash kjo ka alarmuar autoritetet serbe.

Menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet karshi Serbisë për letërnjoftimet dhe targat, ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, sipas tij Qeveria e Kosovës me këtë vendim do t dëbojë serbët e veriut, ndërkohë që thotë se do të kenë një përgjigje të matur, por që do të jetë vdekjeprurëse.

Këto deklarata nuk i ka komentuar emisari i BE-së që ndodhet në Beograd, veçse Miroslav Lajçak ka thënë që ky vendim i Kosovës e vështirëson procesin e dialogut.

“Unë erdha në rajon për t’u përgatitur për takimin e radhës të liderëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë një krizë”- tha Lajçak

Bashkë me këto vendime, Qeveria të mërkurën vendosi të vazhdojë me aplikimin e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë, deri në tetor.

 

 

Top Channel