Policia e Kosovës me plan për festën e Vidovdanit, mbërrijnë serbët

28/06/2022 11:06

Kanë filluar të mblidhen serbët nga Kosova dhe rajoni për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Prishtinës.

I gjithë manifestimi qendror po përcillet me prani të shtuar të Policisë së Kosovës të cilët po kryejnë kontrolle ndaj të pranishmëve.

Gjithashtu, të njëjtëve po iu pamundësohet hyrja me çfarëdo mbishkrimi nacionalist në bluzat e tyre.

Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ për mbarëvajtjen e festës së Vidovdanit në Gazimestan.

Sipas këtij institucioni do të ketë edhe bllokime të rrugëve për tu mundësuarve vizitorëve serbë qasjen sa më të lehtë në vendin ku mbahet manifestimi.

Vidovdani festohen nga serbët për shekuj me radhë në nderim të Betejës së Kosovës, për të cilët ishte fitore shpirtërore.

Ky është plani operativ:

*                  Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.

*                  Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimit të ‘Vidovdanit’.

*                  Garantimi i lirisë së lëvizjes dhe pjesëmarrjes në tubim/manifestim për të gjithë qytetarët e interesuar.

*                  Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.

*                  Angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie, përgjatë kohës së mbajtjes së manifestimit, duke filluar në Graçanicë në orët e mëngjesit dhe pastaj në Gazimestan në mesditë deri në përfundim.

*                  Përcjellja dhe sigurimi i eskortave dhe grupeve të veçanta sipas itinerarit.

*                  Njoftimi i qytetarëve përmes fletushkës informuese (në dy gjuhet) me udhëzimet dhe mbarëvajtjen e manifestimit.

*                  Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

Top Channel