Ashtu si dhe në disa vende të Evropës, edhe në Shqipëri temperaturat e larta dhe thatësira e shkaktuar nga mungesa e reshjeve te shiut pritet të sjellin një verë të thatë dhe probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

Muajin e fundit niveli i ujërave nëntokësorë të monitoruar nga Ujësjellës Kanalizimet e Durrësit ka rënë ndjeshëm.

“Ne jemi i vetmi ujësjellës në Shqipëri që monitoron nivelin e ujit në puse, pasi ujin e marrim nga nëntoka dhe në periudhën maj-qershor ka pasur një rënie të menjëhershme të nivelit të puseve me -1,8 metra dhe në 4 vitet e monitorimit ka qenë më e larta”, thotë Gerald Dautaj, kryeinxhinier UKD-së.

Amortizimi i një pjese të mirë të rrjetit të ujësjellësit që vjen nga stacioni i pompimit të Fushë-Kuqes dhe furnizon fshatrat e Durrësit dhe një pjesë të qytetit, përfshirë dhe zonën e plazhit, është një tjetër faktor risku për problemet në furnizimin me ujë të pijshëm në bregdet. Prej dy ditësh brigadat e punës kanë qenë në terren për të gjetur dhe riparuar çarjet e tubacionit dhe së shpejti situata pritet t’i kthehet normalitetit.

“Ka filluar furnizimi, po problemet mund të ndihen në pjesët fundore dhe ato më të larta pasi konsumi është tepër i lartë…. Kemi bërë njoftim që qytetarët të bënin kujdes në konsumin e ujit të pijshëm, por aty ku do të jetë e mundur do të bëhet furnizim me autobote. Grupet tona dhe autobotet janë në terren 24 në 24 orë”.

E ndërsa kërkesa për konsum bëhet gjithnjë e më e lartë, kjo situatë dhe thatësira paralajmërojnë një verë të vështirë, por UKD sqaron se nuk ka vend për panik por qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm në këto kohë.

“Aktualisht, burimet kanë ujë, po kjo situatë vlen për të bërë një thirrje për qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të mos e shpërdorojnë ujin e pijshëm”.

Top Channel