Ekipi olimpik që do përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, nga dta 25 qershor deri në 6 korrik, mori sot në dorëzim Flamurin Kombëtar, në një ceremoni të posaçme, ku mori pjesë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe Shefi i Misionit Diplomatik të Algjerisë, Ridha Nebais. 

 “Mezi pres që të marrim medalje, por mbi të gjitha, të lëmë një shije të mirë, të një kombi të civilizuar, të kulturuar, të një skuadre që respekton ‘fair-play’ dhe përfaqëson më të mirën, jo vetëm të Tiranës, që këtë vit është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por të një Shqipërie e cila sa vjen e modernizohet. Kur djemtë dhe vajzat garojnë për uniformën e Shqipërisë, janë ambasadorët, diplomatët, politikanët, zëdhënësit, tifozët më të mirë të kombit tonë. E di që shumicën e kohës, më shumë se gjysmën e skuadrës tonë Olimpike e shikoj me ngjyrat bardh e blu të Klubit Tirana, por dua ngjyrat kuq e zi ju shkojnë edhe më shumë, sepse përfaqësoni më shumë se sa klubin e Tiranës, përfaqësoni Republikën e Shqipërisë”– tha Veliaj

Veliaj  theksoi se ndryshimet në Komitetin Olimpik Shqiptar kanë sjellë një erë të re për ekipet sportive dhe një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe autoritet vendore për masivizimin e sportit.

“Ndonjëherë, në Ballkan, ndryshimi na tremb. Por, ndryshimi sjell gjëra të bukura, sjell ritëm të ri, energji të re, sjell bashkëpunime të reja dhe një frymë të re. Prej ndryshimit në KOKSH po shohim sukses dhe ndoshta po jetojmë ditët më të mira të sportit Olimpik, të federatave tona, të bashkëpunimit që kemi me qeverinë dhe bashkitë respektive. Sot kemi skuadra të financuara më mirë, kryeministri ka dhënë ndoshta buxhetin më të madh ndonjëherë për sportin komunitar dhe të gjithë jemi në këtë presion të shëndetshëm të Komitetit Olimpik. E di se nga mbi 70 palestrat e Tiranës jo të gjithë do e veshin këtë uniformë apo do të shkojnë në Lojërat Olimpike, por e di që mijëra fëmijë sot në këto palestra, kanë një jetë më të shëndetshme”- tha Veliaj.

Si Kryeqyteti Europian i Rinisë, Bashkia e Tiranës po finalizon një sërë projektesh për përmirësimin e infrastrukturës sportive. “Pak ditë më parë, Komiteti Olimpik Shqiptar mori dhe zyrat e reja në Parkun Olimpik “Feti Borova”, i ndërtuar  nga Bashkia e Tiranës.

 

Top Channel