Një defekt misterioz kompjuterik ka detyruar autoritetet zvicerane të mbyllin hapësirën ajrore të vendit.
Problemet që çuan drejt vendimit ekstrem u regjistruan në sistemin e kontrollit të trafikut ajror që solli dhe ndalimin e fluturimeve.
Zyrtarët e autoritetit civil të aviacionit zviceran thanë vetëm se : “Hapësira ajrore e vendit është mbyllur për trafikun ajror për arsye sigurie pas dështimit të kompjuterit me Skyguide, shërbimin zviceran të kontrollit të trafikut ajror”.
Në deklaratë nuk pati ndërkohë asnjë detaj në lidhje me keq-funksionimin e sistemit kompjuterik, por theksohet se “kërkohet ndjesë për këtë incident dhe pasojat e tij për klientët, partnerët dhe pasagjerët e aeroporteve të Gjenevës dhe Zyrihut dhe se po punohet për të gjetur një zgjidhje”. Episodi ngjalli pakënaqësi mes udhëtareve.
“E kuptojmë që nuk e kanë fajin ata, dakord, por kjo është një situatë krize dhe në raste të tilla, duhet të jesh i përgatitur e të dish sesi ta menaxhosh krizën. Ndërsa këta të kompanisë ajrore nuk menaxhojnë asgjë. Përveç të tjerash, këtu nuk gjen dot një njeri që të japë një informacion konkret”, tha pasagjeri Denis Leonhardt.
Më herët, aeroporti i Gjenevës, sqaroi përmes një postimi në Twitter se po ndalonte të gjitha fluturimet e tij deri në orën 11 të mëngjesit për shkak të dështimit të sistemit kompjuterik.
Agjencia zvicerane e lajmeve “ATS-Keystone” pohoi se fluturimet ndërkombëtare për në Zvicër po ridrejtoheshin drejt Milanos.
Top Channel