Dhunohet polici në Gjirokastër, arrestohen dy nga katër personat që i bënë pritë në rrugë

10/06/2022 13:50
Foto ilustruese

Katër persona i zunë pritë efektivit të policisë në Gjirokastër, Sokrat Muho në rrugë dhe e dhunuan. Efektivi i policisë kufitare ishte jashtë shërbimit, ndërsa dhunuesit e kanë goditur atë me levë në kokë, dhe në pjesë të tjera të trupit. Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes, pranë zonës së quajtur “Ura e Lumit”.

Shërbimet e policisë Gjirokastër kanë vënë në pranga dy prej autorëve të dyshuar se kanë goditur me sende të forta dje në një rrugë kryesore punonjësin e policisë. Të ndaluarit me inicialet  G. Zh., 35 vjeç dhe G. R., 22 vjeç, janë banues në Sarandë. Policia njoftoi se ka shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë me inicialet K. Zh., 23 vjeç dhe S. S., 30 vjeç, banues në Sarandë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.  Ndërkaq sot situata shëndetësore e punonjësit të policisë është më e stabilizuar dhe do të vazhdojë trajtimin mjekësor në banesë.

Zona ku ka ndodhur ngjarja është një zonë mjaft e frekuentuar, ndërsa bizneset aty pranë janë të pajisura me kamera, dhe këqyrja e tyre pritet të zbardhë të gjithë ngjarjen.

Paraprakisht dyshimet janë se polici kishte konflikte të hershme me një nga autorët, që lidheshin me pronat në një fshat. Pak ditë më parë Sokrat Muho ishte konfliktuar verbalisht me G. Zh., ndërsa policia tha se po vijon hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA