Skandali 3-të në Fiks Fare brenda pak ditëve/ Pas Kavajës dhe Peshkopisë, qindra pensionistëve në Laç u vidhen pensionet

07/06/2022 20:35

Fiks Fare publikoi mbrëmjen e së martës skandalin e tretë me pensionet e qytetarëve në Shqipëri.

Në datën 2 qershor 2022, emisioni investigativ transmetoi problemin e pensioneve në qytetin e Kavajës, ku dhjetëra pensionistë ankohen që s’kanë marrë pensionet e dy muajve, dhjetor 2021 dhe janar 2022. Një pensionist tha se ai dhe bashkëshortja nuk i kanë marrë këto pensione, pasi i ka përvetësuar një ish-punonjëse, e cila më pas ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, pas transmetimit të këtij investigimi, në redaksinë e Fiks Fare mbërritën disa ankesa nga pensionistë në Peshkopi, ku një punonjës i mori pensionet për të blerë shtëpi në Tiranë. Gazmir Hysi shpërndante pensione në zonën e Kastriotit, por pasi mori një shumë prej rreth 7 milionë lekësh, ai vonoi shpërndarjen e tyre. Madje, sipas drejtorit Ilir Vranici, punonjësi Hysi kishte probleme financiare, pasi kishte blerë një apartament në Tiranë. “Ka përdorur një pjesë të këtyre parave” pranoi z.Vranici, por në përballjen me gazetarët ai i mohoi!

Por, nuk mbarojnë me kaq këto skandale! Në redaksinë e Fiks Fare u ankuan edhe pensionistë nga Laçi, të cilëve iu është vjedhur pensioni i muajit gusht 2021. Një punonjëse, Lindita Bushi, pasi ka marrë një shumë të caktuar, është larguar nga Shqipëria. Dy pensionistë treguan për Fiks Fare se s’kanë marrë pensionin e muajit gusht 2021, pasi punonjësja nuk ua ka dhënë.

Ajo i ka marrë dhe më pas është larguar. Pohojnë se, megjithëse kanë muaj me radhë që vijnë për të pyetur, askush nuk i ka dhënë zgjidhje. Sipas tyre, kanë filluar hetimet policia dhe prokuroria por ata duan vetëm lekët. Pohojnë se kanë marrë borxhe dhe s’i kanë larë. Një pensionist, bashkë me gruan, kishin për të marrë 300 mijë lekë të vjetra. Tjetra, 163 mijë lekë. “Mezi paguajmë faturat, tani edhe t’na i vjedhin?!” thotë ajo.

Pas këtyre ankesave, qytetarët shkojnë për të takuar drejtorin e Postës në Laç. Drejtori u thotë se janë dhjetëra pensionistë në Laç që s’kanë marrë pensionet, pasi ua kanë vjedhur. Më pas u pohon se i ka çuar në prokurori dhe polici rastet, por deri tani s’ka asnjë zgjidhje. Sipas tij, janë rreth 26 milionë lekë të vjetra që punonjësja ka marrë.

Gazetarët e Fiks Fare interesohen te i njëjti drejtor për rastet, ndërsa ai thotë se e ka referuar në prokurori dhe polici. Gazetarët e pyesin kur duhet të shpërndaheshin pensionet, ndërsa thotë se në mes të gushtit 2021. Por, qytetarët kanë shkuar te drejtori dhe i kanë thënë për problemin, por drejtori i ka mbajtur ankesat 2 javë.

Ai thotë se i është drejtuar policisë në datën 3 shtator 2021, ndërsa pyetjes se përse nuk i lajmëroi më herët thotë se i ka lajmëruar kur ka marrë të gjitha ankesat. Por, këto ankesa duhet të verifikohen.

Gazetarët e pyesin se kur do t’i marrin pensionet këta qytetarë, ndërsa përgjigjet se ka lajmëruar Postën Qendrore dhe Filialin në Lezhë, nga ku varet, dhe deri tani s’ka asnjë lëvrim fondi.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel