Hap pas hapi, si u grabit banka në Koplik nga tre autorët me kallashnikovë të kamufluar me maska Halloween-i (VIDEO E PLOTË)

05/06/2022 17:34

Top Channel ka siguruar videon ekskluzive të grabitjes së filialit të një banke në Koplik të ndodhur më 9 maj.

Ky është moment kur tre persona të veshur me të zeza me maskë Halloween-i në fytyrë dhe të armatosur me kallashnikovë grabitën bankën.

Bazuar nga kamerat e sigurisë, si fillim ata përballen jashtë me rojën e bankës, duke e shtrirë përtokë dhe mbajtur peng. Më pas njëri prej tyre me armë kërcënon të pranishmit dhe mban të shtrirë përtokë rojën, kurse dy të tjerët shkojnë të marrin paratë me një çantë të zezë. Të pranishmit janë të shtrirë përtokë, të terrorizuar nga ngjarja. Pasi marrin paratë ata largohen me një makinë të zezë tip “Golf”.

Një muaj pas kësaj grabitje policia mundi të identifikojë dhe arrestojë autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.
Në pranga ranë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

Identifikimi i tyre erdhi pas një pune hetimore 4 javore e cila u përqendrua kryesisht tek kamerat e sigurisë. Policia identifikoi se disa ditë para ngjarjes 22-vjeçari Bekim Guraj i veshur si punonjës policie qëndronte përpara bankës dhe studionte ambientin  dhe më pas në bashkëpunim me dy kushërinjtë e tij Armir dhe Admir Shabaj me një mjet tip “Golf 3” të maskuar dhe të armatosur me dy kallashnikovë kryen grabitjen.

Pasi morën nën kërcënimin e armës 18 milionë lekë nga banka, autorët e dogjën mjetin tek “Rrethrrotullimi i Bajzës” dhe janë larguar me një mjet tjetër që e grabitën në rrugë të cilin e braktisën në fshatin Shegan. Në ujërat e “Syrit të Sheganit” ata hodhën edhe armët që kryen grabitjen, të cilat u gjetën nga polumbarët e RENEA-s.

Policia e Shkodrës, forcat operacionale dhe RENEA ushtruan kontroll edhe në banesa të miqve të autorëve por edhe në banesa që dyshohet se përdoreshin nga ata. Falë këtyre kontrolleve policia zbuloi një shtëpi bari, sekuestroi lëndë narkotike si edhe pajisje që përdoreshin për rritjen e drogës.

Policia sekuestroi 31 kilogramë kanabis dhe arrestoi në flagrancë 6 persona të tjerë, 3 janë vënë nën hetim ndërsa një është në kërkim.

Gjatë kontrollit të banesës së Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, në Koplik, u zbulua një shtëpi bari dhe 22 kilogramë kanabis sativa gati për shitje.

Edhe në oborrin e shtëpisë ai kishte kultivuar rreth 300 rrënjë kanabis mes hardhive të rrushit. Ai u arrestua ndërsa djali i tij u shpall në kërkim. Në pranga ranë dhe dy punëtorët e tij nga Cërriku që mirëmbanin lëndën narkotike.

Ndërsa në banesën e Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis. Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

FOTO GALERI
1/27

Top Channel