Greqia do të dërgojë tanke të ushtrisë së saj në Ukrainë duke i zëvendësuar ato me tanke gjermane. Lajmin e ka bërë me dije kancelari gjerman Olaf Scholz, pas takimit të sotëm me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Bruksel.
Sipas Olaf Scholz, Berlini ka rënë dakord me Athinën për të dërguar në Ukrainë armë nga stoku i ish-Traktatit të Varshavës, të cilat më pas do zëvendësohen me sistemet përkatëse të armatimit gjerman.
Më pas në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë thuhet se dërgohen në Ukrainë një numër tankesh ruse BMP-1, të viteve 60, duke i zëvendësuar ato me tanke gjermane të tipit Marder, të viteve 70.
Sipas burimeve pranë ministrisë së Mbrojtjes greke këto “tanke” mund të mos konsiderohen të teknologjisë së fundit, por ukrainasit mund ti përdorin menjëherë.
Ndërkohë të gjitha partitë opozitare greke kanë kritikuar kryeministrin Mitsotakis për fshehtësinë me të cilën ka rënë dakord më qeverinë gjermane si dhe për faktin se sa shumë dhe me rrezik po implikohet Greqia në luftën e Rusisë me Ukrainën duke dërguar disa herë armatime.
Tanket në fjalë BMP-1 që konsiderohen edhe si transportuesit blinduar të personelit ushtarak operojnë në këtë moment në repartet ushtarake në Evros dhe në ishuj. Ata konsiderohen me vlerë më të vogël operacionale për ushtrinë greke për shkak të vjetërsisë së tyre.
Greqia ka dërguar nga muaji shkurt deri tani në Ukrainë raketa antitank RPG, raketa kundërajrore Stinger, kallashnikovë, raketa kundërajrore 155 mm, afërsisht 7 milion plumba 7.62 mm dhe raketa RM70 .
Top Channel