Serbia shpall marrëveshjen trevjeçare të gazit me Rusinë: Ka çmimin më të lirë në të gjithë Europën

30/05/2022 09:33

Presidenti serb Aleksander Vuçiç njoftoi një marrëveshje trevjeçare për gazin me Rusinë në një intervistë me kanalin televiziv serb “Pink” ditën e djeshme, duke e quajtur si një marrëveshje të favorshme për vendin e tij.

Vuçiç tha se Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje tjetër trevjeçare me ofruesin shtetëror rus të energjisë Gazprom pasi marrëveshja aktuale 10-vjeçare e gazit të skadojë të hënën.

“Ky është çmimi më i lirë në të gjithë Evropën. Ajo që ramë dakord, (presidenti rus Vladimir) Putin dhe unë, është shumë e dobishme për Serbinë dhe kështu do të nënshkruajmë një kontratë tjetër, pjesën e parë, e cila është një kontratë trevjeçare”, tha Vuçiç.

Të dielën, Putin dhe Vuçiç diskutuan furnizimet me gaz natyror në vendin ballkanik, ku bëhet me dije se Rusia kishte rënë dakord të vazhdonte furnizimin me gaz natyror të pandërprerë në Serbi.

Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo NATO-s. Ajo është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, ndërsa ushtria e saj mban lidhje me ushtrinë ruse.

Megjithëse vendi mbështeti dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, ai refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA