Prokuroria e Posaçme, SPAK ka ndërmarrë aksion në disa qytete të vendit, pas 32 urdhër-arresteve të lëshuara nga GJKKO.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, aksioni është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan.

Sipas informacioneve, 13 urdhër-arreste janë vetëm në Elbasan, një prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.

Janë në kërkim personazhe të njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj në Lezhë, Suel Çela dhe Kamber Mehja në Elbasan, apo  Fatos Gosa në Peqin. Disa prej personave në listën e SPAK tashmë janë në burg.

Sipas informacioneve, një oficer policie, bashkëpunëtor i dyshuar me struktura të krimit është vënë në pranga.

Ervis Martinaj

 

Ervis Martinaj është një prej emrave më të komentuar të botës së krimit, i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës në zonën e Linzës disa vite më parë.
Në 4 tetor të vitit 2018, ai u plagos në një lokal në ish-bllok ku u vra miku i tij Fabjol Gaxha. Martinaj, njihet si biznesmen në fushën e lojrave të fatit. Ky shtetas është përmendur në shumë ngjarje të rënda por kurrë nuk i është provuar gjë.

Gjatë kontrolleve në magazinën e tij në Fushë Kuqe të Kurbinit, policia sekuestroi 3 skafandra të ngjashme me ato të vrasësve të Santos. Prokuroria nuk arriti dot të provojë nëse ishin të njëjtat skafandra. Disa kushërinj të Martinajt iu nënshtruan analizave bilogjike për të krahasuar qimet e flokut dhe gjurmët papilare të përftuara nga skafandrat por rezultuan të ndryshme.

Në dosje, nuk sqarohet nëse edhe vetë Ervis Martinaj i është nënshtruar këtyre ekspertimeve. Prokurorët kanë bërë një krahasim mes predhave që i morën jetën Artan Santos dhe Enton Nikës, ngjarje e nëntorit të vitit 2015 ku ishte i përfshirë edhe Ervis Martinaj. Rezultoi se kemi të bëjmë me armë të ndryshme.

 Suel Çela

Suel Çela është akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.

I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave të policisë. Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen e tregut agroushqimor.

Prova e gjetur në automjetin “Audi” që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Çela. Bashkë me Endri Çopjen, ai gjithashtu akuzohet për tentativë rrëmbimi të një personi dhe plagosjen e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013.

Kamber Mehja

Kamber Mehja është një tjetër prej emrave më të kërkuar nga drejtësia. Kamer Mehja rezulton i dënuar për “Trafikim të armëve dhe municioneve” si dhe për “Plagosje të lehtë me dashje” të një kamarieri në Elbasan dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarit”. Bashkë me djalin e tij, janë mes 66 personave që po hetohen nga prokuroria për pasurinë e tyre.

Ai gjithashtu akuzohet për organizatë kriminale, prostitucion dhe trafik droge. Ndër të tjerë është pjesë e listës së 15 familjeve më të fuqishme në qytetin e Elbasanit.

 

 

Top Channel