Me një film të dedikuar asaj, duke e çuar në kufijtë e legjendës, 105-sa apo “Stuhia”, është nëndetësja e fundit e mbijetuar nga projekti sovjetik 613 në Shqipëria, e braktisur prej Moskës në ujrat tona në 1961, pas shembjes së marrëdhënieve të saj me Enver Hoxhën.

Nëndetësja që refuzon të mbytet, e ka quajtur AFP që është interesuar për fatin e këtij mjeti lundrues kryeneç. E ndryshkur dhe gjysmë e zhytur në ujë në bazën e Pashalimanit, nga ku Rusia dikur shpresonte të vinte nën kontroll Mesdheun, ajo pret që autoritetet të vendosin se c`do të bëjnë me të.

Kapiten Sabri Gjinollari: Baza e Pashalimanit ka pasur gjithmonë një rëndësi të madhe për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik, pasi ndodhet në hyrje të Kanalit të Otrantos, nga ku mund të kontrollohet i gjithë trafiku detar në detin Adriatik, por edhe në Mesdheun qendror.

Kapiten Eduart Jeminaj: Baza ushtarake e Pashalimanit është ndërtuar në një operacion të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, në kuadër të Traktatit të Varshavës, për vendosjen e nëndetëseve.

Neim Shehaj: Kjo nëndetëse është modeli 613C i ndërtuar në vitet 1950 në Bashkimin Sovjetik, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Sovjetikët kishin vendosur dymbëdhjetë nëndetëse këtu. Kur u larguan, morën tetë prej tyre dhe katër mbetën në bazë.

Kjo nëndetëse është si kishë për mua, thotë Shehaj. Erdha këtu kur isha i ri, e tani flokët më janë zbardhur. Sipas tij, nëse nëndetësja nuk nxirret shpejt nga deti, ajo rrezikon fundosjen, duke marrë me vete të gjithë historinë e saj.

Top Channel