I dërguari i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, në një intervistë për “Top Story” kujton ditën e parë të punës në OKB.
Hoxha flet për emocionet dhe përgjegjësinë që ndjente në detyrën e re, që e cilëson postin më të rëndësishëm për një diplomat.
“Së pari ndjeva dridhje të këmbëve, krenaria e madhe dhe cili do ishte fjalimi im i parë. Cila do ishte fjalia e parë, do e filloja me falenderim për presidentin që atëherë ishte Norvegjia apo do të thosha diçka më personale. Fati im ishte që nuk isha folësi i parë dhe pas folësit të dytë më ikën emocionet”.
Përballë gazetarit Sokol Balla, i dërguari ynë në OKB flet për këtë detyrë të re, që thotë se e ka ndihmuar të rritet profesionalisht.
“Asgjë që kam bërë në jetën time, asnjë detyrë e mëparshme nuk është e krahasueshme me emocionin, me nderin që unë ndjej si përfaqësues i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për herë të parë në historinë e vendit tim.
Nuk mendoj se asnjë diplomat, nga asnjë vend, thotë se ka post më të rëndësishëm se sa të përfaqësosh vendin në këtë strukturë. Është një kënaqësi e madhe, është një detyrë e veçantë, ekspozimi më i mrekullueshëm profesional. Askund tjetër nuk kam takuar ekipe më të përgatitura, më profesionalisht të afta se sa në OKB. Ndonjëherë mrekullohesh nga qëndrimet e vendeve më të cilat kemi pikëpamje krejt të ndryshme, por mënyra si argumentohet është i mrekullueshëm dhe kanë qenë pjesë e mësimeve që kam marrë personalisht”.
Shqipëria është anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, vendi ynë ka dënuar ashpër agresionin e urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin dhe është bërë pjesë e rezolutave që dënojnë Rusinë.
Top Channel