Komisioni i Ligjeve është mbledhur këtë të hënë për raundin e parë të përzgjedhjes së Presidentit të ri.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se raundi i parë dështoi prej maxhorancës.
“Këto mbledhje nuk janë rutinë, për të parë vetëm letrat. Është pjesë e një procesi, sa institucional aq edhe politik. Komisioni i Ligjeve luan rolin e saj. Përfitoj t’ju bëj me dije se cili është qëndrimi politik i PD. Nga ana jonë është bërë me dije që ky proces duhet të përmbushë dhe plotësojë disa kritere, për t’i dhënë shqiptarëve njeriun e tyre, kryetarin e shtetit. Për të dalë nga tradita jo gjithmonë e shëndetshme në përzgjedhjen e presidentit, përpara se të arrihet në një produkt të tillë ne kemi disa detyrime. Duhet të krijojmë një proces në sy të parlamentit. Do të duhet që mes palëve politike të jenë disa qëndrime që me realitet të krijohen në thelb. Qëndrimi ynë është bërë i ditur. Kushtetuta e Republikës përcakton që ky proces të zhvillohet në bazë institucionale. 84 vota përcaktojnë që opozita të ketë rol substancial. Maxhoranca si ka numrat dhe legjitimitetin për të vazhduar në mënyrë të njëanshme në përzgjedhjen e presidentit. Ne presim qëndrim nga maxhoranca. Jeni ju për zgjedhjen e presidentit sipas frymës së Kushtetutës? Ky dështim i këtij raundi të parë, nuk do të doja të bëja provokim, por qëndron mbi supet tuaja. Ju duhet të mbani një qëndrim. Përgjërimet e bëra nga përfaqësuesit më të lartë tuaja duken që kanë qenë farsë. Ne jemi gjithmonë në pritje të qëndrimit tuaj, për të parë se çfarë produkti do të dalë”, tha Alibeaj.
Kurse deputetja Klotilda Bushka ftoi palët që të jenë më bashkëpunuese në propozimin e emrave, në mënyrë që procesi të mos krijojë ngërçe.
“Askush nuk mund të bllokojë një proces parlamentar. Unë jam në dijeni, si pjesë e konferencës së kryetarëve që u është bërë thirrje për të marrë pjesë në seancat. Nuk e di në ç’fazë jeni me diskutimet. Logjika është që ne si komision përveç qëllimit për t’i dhënë qëndrim të saktë kandidaturave. Dy detyra na jep kushtetuta është vlerësimi i kritereve, që kërkon që kandidati për President të jetë shtetas shqiptar nga lindja. Dy kritere janë të rëndësishëm e duhet të vlerësohen nga ne. E para ka të bëjë me rishikimin e pastërtisë të së kaluarës. Duhet të ketë integritet në përputhje me kriteret e parashikuara dhe duhet të jetë subjekt që nuk ndalohet për kandidim si ligj i dekriminalizimit. Ftoj palët të jenë më të përfshira, jo të jenë duke dhënë mend apo këshilla. Gjithsecili ta nisë nga vetja”, tha Bushka.
Ora 16:00 e kësaj të diele ishte afati i fundit i dorëzimit të kandidatëve për raundin e parë të zgjedhjes të presidentit të ri të hënën në parlament. Në sekretarinë e kuvendit nuk është depozituar asnjë kandidaturë. Në të tilla kushte raundi i parë sot në orën 17:00, do të zhvillohet pa pasur një emër për t’u votuar. Pavarësisht mungesës së një emri raundi i parë sipas kushtetutës do të quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin raundit të dytë.
Top Channel