“Presidenti duhet zgjedhur në tre raundet e para” /Alibeaj: Dihet se çfarë qëndron pas një procesi pesë minutësh, ne e bëmë punën tonë, nuk sjellim emra

16/05/2022 17:29

Kryetari i përkohshëm i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj pas seancës së sotme për zgjedhjen e presidentit të Republikës ka dhënë një deklaratë për media ku ka thënë se Presidenti duhet të zgjidhet në tre raundet e para pasi pas raundit të katërt zgjidhet me 71 vota dhe qeveria mund ta bëje zgjedhjen e vetme.

I pyetur nga gazetarët për një emër të caktuar, Alibeaj tha se nuk do të propozojnë asnjë emër pasi diçka e tillë do të ishte turp i Kuvendit. Ai tha se procesi duhet të jetë i hapur pasi ndryshe do të ketë vetëm pazare.

“Raundi i parë mbaron për pesë minuta dhe kuptohet fare mirë çfarë qëndron pas. Ne e bëmë punën tonë, morëm pjesë në proces, arsyetimi është fare i thjeshtë. Kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për të  zgjedhur presidentin e për të dhënë një president neutral mbi palët. Qëndrimi ynë është i qartë. Kemi bërë një deklaratë të çuar zyrtarisht me një logjikë të thjeshtë, të jetë process konsensual e i besueshëm. Presidenti duhet ët zgjidhet në tre raundet e para që të jetë i besueshëm e me konsensus me të gjitha palët. Kemi qenë në pritje të qëndrimit që mazhoranca do të mbajë për propozimin tonë. Nuk do të duhet kurrsesi që të zgjidhet në raundin e katërt dhe të pestë pasi duhet të zgjidhet me 71 vota dhe këtë und ta bëje e vetme qeveria. Ky proces është i hapur për qëndrime.

A do të sillni emra?

Jo sepse nuk do të duhet të jetë një proces i tillë. Do të ishte turpi i parlamentit. Kemi një sërë kriteresh. Një nga kërkesat që unë e kam thënë është të mos prisni nga ne që të bëhet një proces i dhomave të errëta sepse janë pazare. Duhet të bëhet në sy të publikut me karta të hapura.”

Top Channel