Klubi i Futbollit Vllaznia njoftoi se ka vendosur me mirëkuptim largimin nga pozicioni i trajnerit të parë Elvis Plorin.
“Falenderojmë trajnerin Plori për të gjithë kontributin e dhënë gjatë këtyre dy viteve për ringritjen e klubit tonë dhe i urojmë shumë suksese në sfidat e ardhshme, në pozicionin teknik brenda klubit tone”.
Pas disa rezultateve negative radhazi dhe vetëm një fitoreje ndaj Kukësit, klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur të largojë trajnerin Elvis Plori.
Përgjatë dy viteve ai ka qenë në pozicionin e zëvëndëstrajnerit ndërsa me largimin e Brdaric, ai u bë trajner i parë. Tashmë në prag të dy ndeshjeve decizive në kampionat ku përcaktohet pjesëmarrja në kupat e Europës dhe finales së Kupës së Shqipërisë, Vllaznia duhet të gjejë një trajner të ri.
Drejtimin e Vllaznisë do ta marrë trajneri me eksperiencë Mirel Josa, ndërsa klubi i uron mirëseardhjen.
“Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur t’i ofrojë të gjithë besimin dhe mbështetjen e duhur trajnerit të njohur dhe me eksperiencë Mirel Josa në drejtimin e pankinës kuqeblu. I urojmë fat dhe suksese në përmbushjen e objektivave sezonale dhe në vazhdimësi në drejtimin e Vllaznisë. Mirë se erdhe MJESHTËR!”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Top Channel