A ushtrohet kontrolli dhe monitorimi nga ana e qeverisë? Nëse po si kryhet? Sipas ligjit të 1998 të ndryshuar në 2020 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndertimit”, neni 6 detyron që kontrolli teknik në pikëpamjen e sigurisë kryhet përmes oponencës teknike.

Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimit, për të gjitha:

a) ndërtimet publike;
b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar së paku 100 (njëqind milionë) lekë;
c) objektet me akses publik.
Për çdo rast, institutet shtetërore ose entet e tjera, që kryejnë oponencën teknike, janë sëbashku përgjegjëse me projektuesin për çdo dëm që rrjedh si pasojë e gabimeve ose të metave të oponencës teknike. Ato mbajnë përgjegjësi administrative ose penale, sipas rastit, për shkeljen e legjislacionit.
Rregullat për projektet, që duhet t’i nënshtrohen oponencës teknike sipas secilës fushë projektimi, si dhe procedurat që ndiqen në këto raste miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

“Është vlerë e shtuar 120/2020 është shtuar përgjegjësia e oponencës. Oponenca trajtohet si më parë, por vetëm është rritur përgjegjësia e atij që e kryen. Kur do të duhej, se edhe vetë ligji e kërkon që të kryhej një procedurë e plotë për hartimin e oponencës. Problemi është që duhet të drejtohet vetëm nga një institucion. Sepse e drejtuar nga dy institucione përsëri është në treg dhe prodhon konkurrencë e trysni dhe nuk shkon në anën e sigurisë, por në të kundërt. Ose do liberalizuar, ose do përqëndruar. Unë nuk jam dakord për liberalizimin. Një sy publik për të siguruar cilësinë, do të duhej në letër” u shpreh Markel Baballëku, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë

Pas projektimit vjen faza tjetër që ka të bëjë me zbatimin dhe kontrollin. Por deri tani fokusi ka qenë te kriteret urbane se sa ato të sigurisë. Te siguria kontrollet në optikën e ekspertëve kanë qenë pjesore. Dokumentacioni i mbledhur pas tërmetit e tregoi që këto dokumente nuk janë të plota edhe kur ndërtimet janë me leje.

“Nëse merret një leje për ndërtim duhet bërë studimi gjeologjiko-inxhinierik dhe vlerësimi sizmik i zonës. Të dhëna që paraqiten nga ndërtuesi. Të dy këto të dhëna duhet të kenë një ekspertizë shtetërore. Studimi të bëhet nga çdo ekspert i fushës, por kjo duhet të kontrollohet nga institucionet e shtetit”u shpreh gjeologu, Sokol Marku.

Top Channel