Carlo Ancelotti shkroi historinë me titullin e fituar me Realin e Madridit, pasi u bë i pari trajner që shpallet kampion në të 5 ligat më të forta europiane, si Spanjë, Itali, Angli, Francë e Gjermani.

Tekniku italian mbetet një nga më të suksesshmit në profesionin e tij, megjithatë në një intervistë të dhënë pas triumfit në kampionat, ka zbuluar se Reali me shumë mundësi do të jetë stacioni i fundit i karrierës së tij.

“Nëse Reali më mban trajner edhe për 10 vite, atëherë do të qëndroj, por me shumë mundësi, kjo do të jetë skuadra e fundit që drejtoj. Më mungojnë shumë gjëra nga jeta private, si qëndrimi me nipërit e mbesat, takimet me motrën time, etj. Nuk kam qenë asnjëherë në Australi e Rio De Janeiro, ndaj kur ta mbyll me trajnimin, do të bëj pikërisht këto gjëra. Ndoshta do të marr në konsideratë vetëm oferta nga ndonjë përfaqësuese, pasi ka më pak angazhim”, zbuloi trajneri italian.

Pavarësisht punës së Ancelottit, “kyçi” i suksesit të Realit këtë sezon, duket se është pikërisht francezi Karim Benzema, që po shënon në mënyrë të frikshme dhe italiani pranon haptazi meritat e sulmuesit kryesor të “Los Blancos”.

“Karim është një profesionist i jashtëzakonshëm, që armën më të fortë të tij, ka vazhdimësinë. Ai punon gjithmonë njësoj, nuk ka njohur ulje-ngritje deh jep gjithmonë maksimumin. Benzemanë nuk ka nevojë as ta stërvitësh, as ta menaxhosh, por vetëm ta përdorësh. Për të gjithë të tjerat kujdeset vetë, pasi është një profesionist i jashtëzakonshëm. Atij nuk i flas asnjëherë në fushë, pasi e di vetë çfarë duhet të bëjë”, tha Ancelotti.

Sezonin e ardhshëm tifozët e Realit ëndërrojnë treshen Mbappe-Vinicius-Benzema në sulm, teksa Ancelotti shfaqet mjaft optimist për bashkëjetesën e tyre në fushën e lojës.

“Për momentin mund të flas vetëm për Benzema dhe Vinicius, që i kemi këtu. Megjithatë ju siguroj që lojtarët e mëdhenj mund të përshtaten më së miri me njëri=-tjetrin. Mjafton pak vullnet për të bërë mirë”, deklaroi italiani./supersport

Top Channel