Demokrati Roland Bejko i ftuar këtë të hënë në emisionin Top Story në Top Channel tha se PD-ja e Berishës do të jetë një parti e izoluar për sa kohë ka SHBA-në kundër.
“Të shtunën ka nisur diçka e re, por për fatin e keq edhe të PD edhe të demokracisë shqiptare. Nuk mjafton të jemi në rregull me ndërgjegjen tonë, problemi është të ndërmerren akte. Në PD nuk jemi në kushte normale, Berisha është shpallur ‘non grata’, dhe amerikanet i ka kundër. Thirrja e SHBA se do ndërpresë marrëdhëniet duhet marrë në konsideratë. PD e Berishës do jetë një parti e izoluar, me SHBA kundër”, tha Bejko.
Komisioni i Rithemelimit me në krye Sali Berishën mblodhi dy ditë më parë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë 1425 delegatë të cilët votuan zgjedhjen e Këshillit të Kombëtar.
Berisha e avancoi lëvizjen për marrjen nën kontroll të PD duke zgjedhur një Këshill të ri Kombëtarë të PD-s, me disa afrime të reja por duke lënë jashtë kritikët dhe mbështetësit e Bashës.
Lista e re Këshillit të ri Kombëtar prezantuar nga Albana Voksi, sugjeron se tashmë kemi të bëjmë me një PD, më të hapur duke rikthye në këshill të larguarit e Bashës siç ishin dy ish deputetët që nuk iu bindën bojkotit parlamentar. Muslim Murrizi dhe Rudina Hajdari. Kjo është vetëm një anë e medaljes.
Edvin Kulluri një zë kritik ndaj Bashës dhe Berishës në PD , u la jashtë këshillit sikurse edhe Roland Bejko. Por Fatbardh Kadilli i vetmi zë kritik në Kuvendin Kombëtar të PD u votua për të qenë në këshill.
Lista e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar më shumë se sa një hapje e partisë me qëllim bashkimin u duk si një lëvizje pragmatiste e Berishës i cili afron afër vetes edhe dy ish ministra dhe një ish zëvendës ministër nga koha e qeverisjes së tij.
Top Channel