Banka Botërore: Lufta në Ukrainë do të shkaktojë rritjen më të madhe të çmimeve në 50 vjet

27/04/2022 19:18

Lufta në Ukrainë do të rezultojë në një rritje të çmimit të ushqimeve dhe energjisë për tre vitet e ardhshme, kështu ka paralajmëruar Banka Botërore, duke intensifikuar frikën se ekonomia globale po shkon drejt një ripërsëritjeje të situatës së viteve 1970.

Banka Botërore thotë se lufta do të sjellë rritje të mëdha të çmimeve për mallrat, duke filluar nga gazi natyror deri te gruri dhe pambuku. Çmimet e energjisë pritet të rriten më shumë se 50%, duke rritur faturat për familjet dhe bizneset, thotë Banka Botërore.

Rritja më e madhe do të jetë në çmimin e gazit natyror në Evropë, i cili pritet të dyfishohet në kosto. Çmimet parashikohet të bien vitin e ardhshëm dhe në 2024, por edhe atëherë do të mbeten 15% më të larta se vitin e kaluar.

Banka Botërore sqaron se kjo do të thotë se nga nivelet më të ulëta të prillit 2020 deri në mars të këtij viti ne kemi parë “rritje më të madhe 23 mujore të çmimeve të energjisë që nga rritja e çmimit të naftës në vitin 1973”, kur tensionet në Lindjen e Mesme i çuan çmimet në rritje.

Në mënyrë të ngjashme, çmimet e naftës pritet të mbeten të larta deri në vitin 2024 . Banka Botërore paralajmëroi gjithashtu se shumë ushqime do të shohin rritje të mëdha në kostot e tyre. Indeksi i çmimeve të ushqimeve të OKB-së tashmë tregon se ato janë në nivelin më të lartë që nga fillimi i regjistrimeve 60 vjet më parë.

Për mallrat në përgjithësi, raporti i Bankës Botërore thotë: “Ndërsa çmimet përgjithësisht pritet të arrijnë kulmin në vitin 2022, ato do të mbeten shumë më të larta se sa ishte parashikuar më parë”.

Top Channel