Më 1 Qershor, fëmijët e Tiranës do të marrin një dhuratë shumë të veçantë. Kopshti i ri Zoologjik është thuajse gati dhe do të vijë për të gjithë qytetarët e Tiranes si një pikë tjetër argëtimi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me një grup fëmijësh, inspektoi punimet që janë në fazën përfundimtare, për të mirëpritur më pas kafshët. Veliaj siguroi se Kopshti i ri Zoologjik do të jetë më moderni në Ballkan, pas lirimit të hapësirave të zaptuara.
“Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të mësuar. Është ndoshta Kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, i rikonceptuar plotesisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët. Ato kafazet e ngushta nuk ekzistojnë më, pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skenat që ne mbajmë mend nga Kopshti Zoologjik që trashëguam”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi se Kopshti Zoologjik i Tiranës është kthyer në një hapësirë për të gjitha grupmoshat, ku janë mbjellë edhe 1200 pemë. Kryebashkiaku ftoi edhe ata që kanë qenë skeptik në fillim për të parë transformimin te Kopshti Zoologjik, duke i garantuar se e njëjta cilësi e lartë pune do të bëhet edhe për Kopshtin Botanik.
Top Channel