Kërcënohet me jetë futbollisti i Manchester United, i kërkohet largimi nga “djajtë e kuq”: Ke 72 orë kohë të ikësh, ose …

23/04/2022 10:17

“Djajtë e kuq” të Manchesterit nuk po gjejnë paqe dhe zhgënjimin e akumuluar te tifozëria nuk e ka zbutur as firma 4-vjeçare me trajnerin e mirënjohur holandez, Eric Ten Haag.

Inati i tifozëve duket se është veçanërisht me kapitenin Harry Maguire, i cili ka përfunduar shpesh në qendër të kritikave për gabimet në golat e pësuar, megjithatë sigurisht që nuk mund të cilësohet fajtori i vetëm për këtë situatë.

Menjëherë pas ndeshjes me Liverpool, ku Maguire gaboi pozicionim në golin e parë të vendasve që në minutën e 5-të, tifozët e sulmuan ashpër në rrjetet sociale, duke e kërcënuar edhe me jetë.

“Largohu nga Manchester United, ose do të vdesësh. Ke 72 orë kohë të largohesh, ose në të kundërt tre bomba do të aktivizohen në shtëpinë tënde”, thuhet në disa prej mesazheve që kanë përfunduar në telefonin apo rrjetet sociale të mbrojtësit anglez.

Policia britanike ka nisur menjëherë hetimet dhe po mban në mbikëqyrje shtëpinë e Maguire, i cili natyrisht që në këto kushte do ta ketë të vështirë të përqendrohet në fushën e lojës.

Bëhet fjalë për një situatë që ndodh rrallë në futboll, e aq më tepër në nivele të tilla si Premier League, teksa burime për mediat britanike raportojnë se Maguire po mendon seriozisht largimin në fund të sezonit, pasi paqja mes tij dhe tifozëve të Manchester United duket e pamundur të rikthehet më./supersport

Top Channel