Kristjan Asllani është në sezonin e tij të parë në elitën e futbollit italian, teksa aktivizohet me Empolin në Serie A.

Megjithatë, eksperienca e shkurtër dhe mosha 20-vjeçare nuk është ndjerë aspak në fushë, me futbollistin e kombëtares së Shqipërisë që ka impresionuar edhe trajnerin Edy Reja. Italiani e pati Asllanin pjesë të grumbullimit të fundit me kuqezinjtë ndërsa e aktivizoi në miqësoret e muajit mars ndaj Spanjës (debutim për Asllanin) dhe Gjeorgjisë.

Përshtypjet ishin nga më pozitivet ndërsa tashmë Reja është duke bërë reklamë për Asllanin në Itali, ndërsa për mesfushorin kanë dalë në pah disa mundësi për t’u transferuar në klube gjigande si Interi apo Milani. I fundit në listë është Napoli, ndërsa Reja ka theksuar se nëse presidenti i të kaltërve do ta pyesë, atëherë do t’ia propozonte transferimin e Asllanit në stadiumin Maradona.

“Asllani është një djalosh shumë interesant dhe i destinuar për të luajtur në klube të mëdha. Më ka bërë shumë përshtypje personaliteti që tregon, di të vendoset në mënyrë shumë inteligjente në fushë dhe punon mirë me të dyja këmbët. E ndërton lojën nga poshtë ashtu si Pirlo, megjithë respektin për krahasimin. Mund të luaj edhe në qendër të mësfushës por për këtë do t’i duhen këmbë më të forta.

Ka shumë vizion, është i zoti me topat e gjata dhe di të spastrojë zonën para mbrojtjes. E gjen shumë mirë momentin për të vertikalizuar dhe për t’i dhënë shpejtësi aksionit me pasime filtruese dhe preçize. Difekte? Duhet të ketë më shumë muskuj, të bëhet më i shpejtë por po flasim për një 20-vjeçar që luan për herë të parë në Serinë A dhe me eksperiencën mësohen të gjitha.

Napoli? Nëse Aurelio De Laurentis me të cilin kam një raport të shkëlqyer më pyet, atëherë unë do t’ia këshilloja Asllanin. Unë i besova me kombëtaren dhe ai debutoi ndaj Spanjës edhe pse është një lojtar që mund të luante për U21. Mendimet e mia për Asllanin janë të shkëlqyera, mbi të gjitha sepse di të pozicionohet në fushë”, u shpreh Reja./ supersport

Top Channel