Wolfgang Richter, ekspert gjerman i Fondacionit Shkenca dhe Politika shpjegon, se çfarë do të thotë për rrjedhën e mëtejshme të luftës ofensiva madhore ruse në Donbas.
“Faza e parë e luftës nuk eci mirë për Rusinë. Ajo që ishte planifikuar, pra një ndryshim qeverie, një përparim i shpejtë në zonën qeveritare në Kiev nuk u arrit. Në vend të kësaj pati humbje të mëdha. Mund të mendohet, se deri një e treta e trupave tokësore që ishin në luftë nuk janë më të afta për luftë. Ndoshta sepse nuk ishte menduar një rezistencë kaq e fortë, dhe që ukrainasit do të luftonin me kaq homogjenitet. Tani po nxirren mësime prej kësaj.
Rusia ka vendosur për një kryekomandë qendrore për operacionet në Lindje, që paraqitet si faza e dytë. Që do të thotë se trupat po përqëndrohen për një qëllim ndoshta të realizueshëm vërtet, marrjen e zonave kufitare të Luhanskut dhe Donjeckut e ndoshta edhe më tej. Rusia po përqëndron aty tani të gjithë trupat që kishte në Ukrainë. Po ashtu ata kanë zgjedhur edhe një territor që është i përshtatshëm për operacione me tanke”, thotë eksperti për DW.
Richter shpjegon se zona në jug të Kharkivit, mes Isjumit dhe Luhanksut është një zonë e sheshtë, e hapur dhe me pak pengesa. Që do të thotë, se në sulmin e parë trupat ruse vërtet mund të fitojnë territore. Por Ukraina ka mjete kundër kësaj. Edhe ata kanë grumbulluar forca aty. Nga ana taktike ata kanë vepruar me mençuri, me kundërsulme nga krahët e këtyre forcave dhe kundër linjave logjistike lidhëse të ushtrisë.
Richter mendon se tashmë lufta në Ukrainë mund të ketë hyrë në një fazë vendimtare. Sidomos për palën ruse, sepse nëse kjo nuk çon në një sukses ushtarak, atëhere vendi ka shumë pak rezerva që mund të aktivizohen, arsyeton ai. Për momentin nuk ka vullnet nga dyja palët, por sidomos nga pala ruse që të negociohet seriozisht. Por kur të detyron gjendja ushtarake, atëherë ka më shumë mundësi për kompromis. Pra do të vendoset në fushën e luftës, nëse do ketë gatishmëri për negociata të arsyeshme dhe vërtet serioze, vazhdon eksperti.
Top Channel