Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike tha se Grupi Parlamentar “do të bëjë detyrën që i takon në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri”.
Pas mbledhjes që zhvilloi sot me Grupin Parlamentar, Alibeaj propozoi që të konsultohen të gjithë deputetët për qëndrimin që do të duhet të mbajë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe në një mbledhje tjetër të mblidhen opinionet e secilit.
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit është shumë i rëndësishëm, pavarësisht rolit gjithnjë e më të rrudhur të Presidentit. Në raundin e katërt dhe të pestë, mazhoranca mund ta zgjedhë Presidentin. Nëse nuk do të ishte kështu, opozita mund t’ia kishte futur këmbët në një këpucë.
PD ka dy rrugë. Njëra është që më bishtin ndër shalë të shmangemi, por kjo është një mënyrë që nuk na ka funksionuar. Duhet të përballemi me regjimin e Ramës dhe t’ia grisim fasadën e tij.
Është detyrimi i opozitës, duhet të caktojmë një figurë nëpërmjet transparencës. Do të bëjmë përballje me regjimin, edhe pse e di fare mirë që Rama mendon që në fund ta zgjedhë Presidentin me votat e veta, por është detyrimi ynë. Do të japim qëndrimin e duhur të opozitës, gjithëpërfshirës dhe transparent”.
Duhet të jetë Presidenti i shqiptarëve, jo i partive politike, tha Alibeaj.
Lidhur me debatet që u zhvilluan në selinë blu dhe akuzat e ndërsjellta me Sali Berishën, që e quajti të emëruarin e Taulant Ballës, Alibeaj u shpreh për mediet se “në mbledhjet e grupit ka gjithmonë zhurmë se vjen Berisha, që është pa asnjë rol dhe jep mendimet e tij duke bërë zhurmë”.
Top Channel