Tre punonjësit e arrestuar për aksidentin tragjik që i mori jetën 19-vjeçarit, në portin detar të Durrësit janë lënë në burg.
Ndërsa hetimet vijojnë, në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës është zhvilluar një ditë më parë, seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të arrestuar pas aksidentit të rëndë që ndodhi në terminalin e kontenierëve, gjatë të cilit u godit rëndë dhe humbi jetën i riu Rufan Belshaku nga Berati apo siç e njihnin familjarë dhe të njohurit e tij Ani Belshaku.
Ai ndodhej në terminal në momentin kur u godit nga mekanizmi që përdoret për stivimin e konteinerëve në terminal. Pas veprimeve të para hetimore policia arrestoi shtetasit Nazmi Varaku, 64 vjeç, manovrator i makinerisë nga e cila u godit për vdekje 19-vjeçari, Rendi Biçaku 27 vjeç me detyrë përgjegjës turni në firmën e përpunimit të kontenierëve në port, dhe Bledar Troplini, 42 vjeç me detyrë kryemekanik i ofiçinës.
Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë, pasdrekën e së premtes u aksidentua me pasojë vdekjen i riu Belshaku. Gjyqtari i çështjes vleftësoi si të ligjshëm arrestimin e tyre dhe caktoi “arrest në burg” për të tre punonjësit e firmës së përpunimit të kontenierëve në port.
Top Channel